Në Krivollak prezantohen pajisjet dhe uniformat ushtarake të furnizuara nga Turqia
"Turqia është partner strategjik shumë i mirë. Do të doja të shfrytëzoja këtë rast për të falënderuar ambasadorin, atasheun, Ministrinë Turke të Mbrojtjes Kombëtare dhe qeverinë turke", tha ministri Misajllovski
Krivollak
Në Krivollak të Maqedonisë së Veriut sot u prezantuan pajisjet dhe uniformat ushtarake të siguruara nga Turqia, raporton Anadolu.
Në stërvitjen me qitjen e vërtetë, të mbajtur në qendrën ushtarake të stërvitjes Krivollak, morën pjesë ministri i Mbrojtjes i Maqedonisë së Veriut, Vllado Misajllovski, shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Sashko Llafçiski, ambasadori turk në Shkup, Fatih Ulusoy, zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Aselsan, Zekeriyya Şahin, drejtori i Zyrës për Ballkanin e Aselsan, Doğan Coşkun dhe zyrtarë të lartë.
Në këtë aktivitet u prezantuan Sistemi i Komandës dhe Kontrollit të Mbështetjes me Zjarr ADOP 300-T dhe Sistemet e Kontrollit të Zjarrit të Artilerisë VOLKAN 230/105, të zhvilluara nga ASELSAN.
Në deklaratën e tij, Misajllovski e përshkroi ditën e sotme si një ditë historike për ushtrinë e Maqedonisë së Veriut dhe Ministrinë e Mbrojtjes. Ai theksoi se lançimi i sotëm zyrtarisht i vuri në shërbim të ushtrisë gjashtë obusët BORAN 105-milimetër, të siguruar në korrik.
"Vendi ynë mik dhe vëllazëror, Turqia, është partner strategjik shumë i mirë. Do të doja të shfrytëzoja këtë rast për të falënderuar ambasadorin, atasheun, Ministrinë Turke të Mbrojtjes Kombëtare dhe qeverinë turke", tha ai.
Misajllovski gjithashtu tha se në eventin e sotëm, ata morën 4.000 uniforma sipas marrëveshjes dypalëshe midis Turqisë dhe Maqedonisë së Veriut. Ai tha se ata po shfaqnin vetëm një pjesë të pajisjeve të marra sot. "Në periudhën e ardhshme, do të shtohen artikuj shtesë si pushkë snajperi për forcat tona speciale si dhe automjete të pablinduara", tha Misajlovski.
Ai falënderoi të gjitha kompanitë që ofruan forma të ndryshme mbështetjeje, veçanërisht Aselsan dhe MKE.