Nënshkruhet protokoll bashkëpunimi mes TURKSOY dhe Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit të Maqedonisë së Veriut
Ministri i Kulturës dhe Turizmit i Maqedonisë së Veriut, Zoran Ljutkov tha se marrëdhëniet miqësore mes dy vendeve janë forcuar më tej përmes bashkëpunimit në fushën e kulturës
Shkup
Protokolli i bashkëpunimit ndërmjet Organizatës Ndërkombëtare të Kulturës Turke (TURKSOY) dhe Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit të Republikës së Maqedonisë së Veriut u nënshkrua në një ceremoni të mbajtur në Sekretariatin e Përgjithshëm të TURKSOY, raporton Anadolu.
Në ceremoni morën pjesë ministri i Kulturës dhe Turizmit i Maqedonisë së Veriut, Zoran Ljutkov, sekretari i përgjithshëm i TURKSOY, Sultan Raev, ambasadori i Maqedonisë së Veriut në Ankara, Jovan Manasievski dhe shumë të ftuar.
Duke folur në ceremoni, ministri Ljutkov tha se marrëdhëniet miqësore mes dy vendeve janë forcuar më tej përmes bashkëpunimit në fushën e kulturës. Ai shtoi se protokolli i nënshkruar do të kontribuojë në njohjen më të mirë mes popujve, ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe rritjen e ndërveprimit mes artistëve.
Sekretari i përgjithshëm i TURKSOY, Raev, nga ana e tij theksoi se memorandumi i mirëkuptimit i nënshkruar është më shumë se një dokument bashkëpunimi ndërmjet dy institucioneve, duke e cilësuar si një hap të rëndësishëm për forcimin e afrimit kulturor mes popujve, mbështetjen e ruajtjes së trashëgimisë kulturore dhe nxitjen e krijimtarisë artistike.
Raev theksoi se Maqedonia e Veriut, me strukturën e saj shumëgjuhëshe, shumëfetare dhe multikulturore, përbën një nga shembujt më të fuqishëm të kulturës së bashkëjetesës në Ballkan, duke shtuar se "Bashkëjetesa e identiteteve të ndryshme në respekt dhe mirëkuptim të ndërsjellë është përvojë e çmuar që duhet ndjekur me vëmendje jo vetëm në nivel rajonal, por edhe global".
Ai theksoi se komuniteti turk që jeton në Maqedoninë e Veriut, me trashëgiminë e tij historike dhe kulturore, është pjesë e pandashme e Botës Turke dhe shërben si urë lidhëse ndërmjet kulturave të ndryshme.
Në kuadër të protokollit parashikohet zhvillimi i projekteve të përbashkëta në fushat e kulturës, artit, letërsisë, arteve skenike, aktiviteteve muzeale dhe bibliotekare si dhe në fushën e trashëgimisë kulturore, organizimi i programeve të shkëmbimit të artistëve dhe ekspertëve dhe krijimi i mekanizmave për shkëmbim informacioni.
