Në Tiranë mbahet festivali i futbollit për fëmijë, merr pjesë edhe kreu i UEFA-s
Në një deklaratë për mediat, presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, tha se mesazhi i tij për të gjithë është se futbolli dhe sportet duhet të jenë gjëja që i bashkon njerëzit dhe sipas tij jo t'i ndajë njerëzit

Tiranë
Në Shqipëri është organizuar festivali i futbollit për fëmijë, pjesë e programit të UEFA-s "Futbolli në shkolla", raporton Anadolu.
Në aktivitetin e organizuar në ambientet e "Shtëpisë së Futbollit" në Tiranë ishin të pranishëm presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Armand Duka, anëtarë të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, trajneri i Kombëtares së Shqipërisë në Futboll, Sylvio Mendes Campos Junior, ambasadorë të futbollit evropian Luis Figo dhe Aljosa Asanoviq.
Në një deklaratë për mediat Ceferin tha se mesazhi i tij për të gjithë është se futbolli dhe sportet duhet të jenë gjëja që i bashkon njerëzit dhe sipas tij jo t'i ndajë njerëzit.
Ai theksoi se duhet të përpiqen të heqin qafe sipas tij "ata idiotë që përdorin ndeshjet e futbollit për ideologjinë e tyre".
"Do t'u jepja një këshillë të gjithë lojtarëve të rinj, jo vetëm në Shqipëri, që të punojnë, të punojnë dhe punojnë. Do të thoja të qëndrojnë në ligat e tyre të vendit sa më shumë të jetë e mundur, sepse është shumë më e lehtë të provosh veten në një ligë lokale dhe pastaj të dalësh jashtë", tha Ceferin.
Mbledhja e UEFA-s në Tiranë, vlerësim për të gjithë komunitetin e futbollit shqiptar
Në deklaratën për mediat Duka tha se aktiviteti i sotëm në memorien e fëmijëve do mbetet gjatë.
Mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s që mbahet sot në Tiranë, Duka e konsideroi një vlerësim për të gjithë komunitetin e futbollit shqiptar.
"Do doja ta falënderoja publikisht presidentin e UEFA-s, Aleksander Ceferin, për vendimin që mbledhja e Komitetit Ekzekutiv (të UEFA-s) të bëhet në Tiranë. Ky është një vlerësim jo thjesht për federatën e futbollit (FSHF), por për të gjithë komunitetin e futbollit shqiptar, një vlerësim i bashkëpunimit të federatës së futbollit me UEFA-n dhe respekt për punën e komunitetit të futbollit shqiptar. Nuk është thjesht një mbledhje, është një event, duke përfshirë edhe aktivitetin e sotëm, festivalin e futbollit, ku besoj se në memorien e fëmijëve do mbetet gjatë", tha Duka.
Gjatë aktivitetit Ceferin u takua me fëmijët dhe pjesëmarrësit e tjerë, ndërkohë u improvizuan edhe lojëra me fëmijët.
Programi "Futbollit në shkollat" ka si synim të mbështesë të gjitha shkollat duke shpërndarë materiale bazë që duhen për futbollin dhe për zhvillimin e këtij sporti, për të krijuar sa më shumë ekipe futbolli dhe për të zbuluar sa më shumë talente të reja.
Ndërkohë, Shqipëria mirëpret sot për herë të parë mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.