BALLKANI

"Në shkollat e Fondacionit Maarif në Shqipëri jemi si një familje"

Në mesin e shumë kontributeve spikat synimi i fondacionit për të krijuar një sistem arsimor meritokratik dhe ky objektiv ka bërë që të rritet interesi i nxënësve dhe studentëve për të kryer shkollimin e tyre në institucionet arsimore të fondacionit

Fatjon Cuka   | 23.01.2021
"Në shkollat e Fondacionit Maarif në Shqipëri jemi si një familje" ( Olsi Shehu - Anadolu Agency )

Tiranë

FATJON CUKA 

Fondacioni Turk Maarif prej disa vitesh vazhdon veprimtarinë e tij në Shqipëri dhe aktualisht administron disa institucione arsimore, duke filluar nga cikli parashkollor deri në universitet, me një numër prej 1.100 nxënësish dhe studentësh.

Fondacioni Maarif administron disa institucione arsimore në Shqipëri, si Universitetin New York Tirana, gjimnazet "New York High School" dhe "IMSA High School Elbasan", shkollën 9-vjeçare "New York Basic Education" dhe kopshtin "IMSA Farm-Kindergarten".

Studentët dhe nxënësit që vazhdojnë aktualisht studimet e tyre në këto institucione arsimore, por edhe prindërit e tyre, tregojnë disa arsye pse kanë bërë një zgjedhje të tillë, duke veçuar dhe vlerësuar standardet e larta në mësimdhënie dhe stafin e kualifikuar.

Përfaqësuesi dhe Koordinatori i Fondacionit Maarif për Shqipërinë, Fatih Cankurt, në një prononcim për Anadolu Agency (AA), vlerësoi aktivitetet e fondacionit në Shqipëri.

Ai tha se aktivitetet e Fondacionit Maarif në Shqipëri kanë filluar në vitin 2017, ndërsa në gusht të vitit 2018 kanë blerë zinxhirin e shkollave New York duke shënuar edhe nisjen e aktiviteteve arsimore.

Më pas, sipas tij, në vitin 2019 në qytetin Elbasan kanë hapur një shkollë e mesme, si dhe të njëjtin vit një kopsht fëmijësh në Tiranë. "Me këtë filluam arsimin në çdo nivel, nga kopshti i fëmijëve deri në universitet", tha ai.

Cankurt tha se kanë arritur një rritje prej 60 për qind në krahasim me 3 vitet në numrin e nxënësve/studentëve. "Po ashtu, për shkak të kërkesës së lartë, ne plotësuam të gjitha kapacitetet tona në shkollat ​​tona në të gjitha nivelet. Tani për shkak të kërkesë së lartë, planifikojmë që të zgjerohemi edhe në aspektin fizik, por edhe të hapim shkolla në nivele të ndryshme, në gjuhë ndërkombëtare", theksoi Cankurt.

Duke vënë në dukje se periudha e pandemisë për gjithë botën ka krijuar një krizë e papritur, Cankurt theksoi se kjo ka shkaktuar dëmtime serioze si nga ana ekonomike, mendore dhe psikologjike. Si fondacion, ata kanë bërë të gjithë përgatitjet para se të merren vendimet për karantinë.

Që nga themelimi, qëllimi dhe misioni i tyre, sipas Cankurt, është të edukojnë nxënës/studentë që mund të jenë njerëz të mirë dhe të dobishëm si për botën, ashtu edhe për familjen dhe mjedisin e tyre, ndërsa tha se në këtë drejtim janë duke u munduar te japin mbështetjen dhe kontributin e duhur.

Cankurt tha se si fondacion gjithashtu kanë arritur suksese serioze në olimpiadat.

Ai tha se nuk bëjnë dallim mes nxënësve/studentëve në aspektin e nivelit të tyre socio-ekonomik. "Në këmbim të kësaj, ne po ashtu marrim përgjigje pozitive shumë të mira", tha ai.

Si Maarif, ai tha se në 32 vende të botës arsimojnë afër 40.000 nxënës/studentë. "Në këto 3 vite të arrish në një shifër si 40 mijë është serioze. Nëse mund ta bëjmë këtë, do të thotë se kemi arritur të tërheqim vëmendjen e njerëzve, do të thotë se kemi arritur të japim të drejtën. Për këtë shkak mendojmë se nxënësit, duke i marrë parasysh këto, duke bërë vlerësimet e tyre, do të na zgjedhin ne", u shpreh Cankurt.

Cankurt, duke vlerësuar edhe marrëdhëniet miqësore dhe vëllazërore mes Shqipërisë dhe Turqisë, shtoi se kanë marrë përsipër në fushën e arsimit që kjo vëllazëri të zhvillohet edhe më shumë.

”Në UNYT edukohen liderët e së ardhmes”

Arjon Taipi aktualisht vazhdon studimet për marketing në Universitetin New York Tirana (UNYT). Ai për AA shprehet se kualifikimi dhe profesionalizimi i stafit është diçka që e impresionon çdo ditë, sidomos stafi i huaj, duke theksuar se ky universitet edukon liderët e së ardhmes.

"Pasi kisha dëgjuar për reputacionin e Universitetit New York Tirana vendosa ta provoja vetë dhe duke qenë se u pranova, mbeta i impresionuar. Ishte një nga zgjedhjet më të mira që kam bërë deri tani", theksoi ai, duke shtuar se mësimi bëhet shumë komod në përdorimin e teknologjive më të fundit. Ai tregon se UNYT ishte universiteti i parë që vazhdoi më mësimdhënien online dhe shprehet se platformat për këtë lloj mësimi janë shumë të vlefshme dhe shumë të sakta

Enis Lalmi është studente e vitit të katërt në degën e informatikës në UNYT dhe duke folur për AA, ajo tregon se universiteti ua jep mundësinë që të përdorin të gjitha teknologjitë dhe lehtësirat që ofron si institucion arsimor.

Ajo, duke u nisur edhe nga eksperienca e saj në gjimnazin “New York High School", vendosi që hapin tjetër drejt së ardhmes sa i përket shkollimit ta vazhdojë në UNYT. “Nëse diçka na pëlqen nuk duam t’i largohemi dhe kjo gjë ndodhi me mua dhe me zgjedhjen time", shprehet Lalmi.

Lalmi thekson gjithashtu se ajo që e bën shumë të veçantë UNYT është aftësia që kanë pedagogët për të komunikuar me studentët dhe fakti që ka bashkëpunime me shumë universitete të tjera jashtë vendit. "Këtu të jepet mundësia që të shkëlqesh në momentin që të janë dhënë të gjitha burimet e duhura. Këtu kemi shumë klube studentore, klubi i debatit, dramës, sportit, bamirësisë, që krijojnë aktivitete të ndryshme”, tregon ajo. 

“Ne jemi si një familje dhe ndihemi si një familje"

Edhe nxënësit që frekuentojnë institucionet e arsimit parauniversitar të Fondacionit Maarif, tregojnë se kanë pasur disa arsye që kanë zgjedhur këto institucione arsimore.

Dezi Imami aktualisht është në vitin e tretë në “New York High School” në Tiranë dhe ajo për AA tregon se zgjedhja e kësaj shkolle ishte një sugjerim nga miqtë e familjes, sipas saj, për stafin akademik, për standardin e lartë të mësimeve, për bashkëpunimin që ka mes mësuesve dhe nxënësve, si dhe për nivelin e nxënësve në këtë shkollë.

"Ndihem shumë e lumtur për zgjedhjen që kam bërë dhe nëse do të kthehesha mbrapa nuk do ta kisha ndryshuar", tregon ajo, duke theksuar ka qenë zgjedhja më e duhur.

"Pas pandemisë që u shpall ne kemi filluar direkt me mësimin online. Mësuesit kanë qenë shumë korrektë”, tregon Imami, duke shtuar se në shkollën që ajo frekuenton është “një situatë shumë harmonike."

Eno Xhabrahimi vazhdon klasën e tetë në “New York Basic Education" në Tiranë dhe tregon se ai dhe familja e tij zgjodhën këtë shkollë si një shkollë shumë serioze. "Këtu dallohet një ndryshim drastik sesi mësuesit merren më nxënësit, numri i nxënësve në klasë dhe na u duk arsyeja më e mirë për të ardhur tek kjo shkollë. Çdo mësues bëhet tamam prind i dytë për ne, merret gjithmonë me ne, na jep këshilla. Ne jemi si një familje dhe ndihemi si një familje", tregon ai.

Nga ana tjetër, edhe prindërit vlerësojnë standardet e mësimdhënës në shkollat që administrohen nga Fondacioni Turk Maarif. Milto Kutali është një prej prindërve vajza e të cilit ndjek shkollën në “New York High School” dhe për AA ai tregon se ka komoditet që vjen nga stafi i mësuesve dhe burimet njerëzore. Ndjekja e kësaj shkolle, shprehet ai, vajzës së tij i ka shërbyer shumë mirë deri tani.

“Sigurisht një vend i madh, një komb i madh si Turqia, me goxha histori, traditë, kishte çfarë të ofronte në një vend të vogël siç është vendi ynë", shprehet Kutali. Ai thekson se me standardet mësimore në këtë shkollë është shumë i kënaqur.

Edhe Entela Hidri është një nga prindërit që të dy fëmijët e saj ndjekin shkollimin në shkollat e Fondacionit Maarif. “Unë kam djalin në New York Basic Education në klasë të tetë dhe vajzën në New York High School në vit të dytë. Procedojnë me mësim të plotë, me orë të plota dhe pandemia nuk e ka cenuar fare zhvillimin e orëve mësimore”, shprehet ajo.

"Gjithë përkushtimi i stafit, komunikimi që ata kanë gjithë kohës dhe ndihma dhe bashkëpunimi që ata na kërkojnë neve si prindër që fëmija të ecë mirë, e ndien veten fëmija i rëndësishëm dhe kjo ka qenë arsyeja që i kam zgjedhur", thotë ajo. Duke u nisur nga standardet arsimore, ajo ua ka sugjeruar edhe prindërve të tjerë.

Në mesin e shumë kontributeve, spikat synimi i këtij fondacioni për të krijuar një sistem arsimor meritokratik dhe ky objektiv ka bërë që të rritet interesi i nxënësve dhe studentëve për të kryer shkollimin e tyre në institucionet arsimore të fondacionit.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın