BALLKANI

Në Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri falet namazi i Kurban Bajramit, Kosova anulon namazin shkaku i COVID-19

Besimtarë të shumtë janë mbledhur në xhamitë në kryeqytetet Shkup dhe Tiranë për të falur namazin e Kurban Bajramit, por në bazë të një protokolli shkaku i COVID-19, duke përjashtuar Kosovën e cila anuloi faljen e namazit nëpër xhami

Fatjon Cuka, Zylfije Adem Jakupi, Abdulbesar Ademi  | 31.07.2020 - Përdıtësım : 01.08.2020
Në Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri falet namazi i Kurban Bajramit, Kosova anulon namazin shkaku i COVID-19 ( Furkan Abdula - Anadolu Agency )

Shkup/Tiranë/Prishtinë

Në praninë e një numri të madh të besimtarëve mëngjesin e sotëm në të gjitha qendrat kryesore të vendeve të rajonit, si dhe më gjerë, me faljen e namazit të Kurban Bajramit ka filluar një nga festat më të mëdha të muslimanëve, Kurban Bajrami, raporton Anadolu Agency (AA).

Besimtarë të shumtë janë mbledhur në xhamitë në kryeqytetet Shkup dhe Tiranë për të falur namazin e Kurban Bajramit, por në bazë të një protokolli shkaku i pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19), duke përjashtuar Kosovën e cila anuloi faljen e namazit nëpër xhami shkaku i situatës epidemiologjike të shkaktuar nga kjo pandemi.

Si në çdo vend të botës, edhe Maqedonia e Veriut këtë vit festën e Kurban Bajramit e priti nën hijen e koronavirusit. Ceremonia qendrore, që tradicionalisht mbahet çdo vit, këtë vit nuk u mbajt për shkak të shpërthimit të virusit COVID-19.

Xhamia historike e Mustafa Pashës në kryqytetin Shkup ishte e mbushur me qytetarë, të cilët erdhën për të falur namazin e kësaj feste. Oborri i kësaj xhamie ishte i mbushur me qytetarë, por duke ndjekur rregullat kundër përhapjes së virusit.

Myftiu i Shkupit, Qenan Ismaili, hutben në këtë xhami e lexoi në tre gjuhë, në gjuhën shqipe, turke dhe maqedonase. Ai uroi besimtarët muslimanë, duke theksuar se këtë vit festa shënohet më ndryshe shkaku i pandemisë.

Po ashtu edhe besimtarët muslimanë në Shqipëri nëpër xhamitë e vendit kanë falur namazin e Kurban Bajramit, sipas një protokolli të masave për shkak të pandemisë COVID-19.

Ceremonia qendrore e namazit të Kurban Bajramit në Shqipëri është mbajtur në Xhaminë e Kokonozit në Tiranë me pjesëmarrjen e besimtarëve dhe klerikëve.

Namazi i Bajramit vitet e kaluara në Shqipëri është falur edhe në sheshet e qyteteve të vendit, por këtë vit për shkak të masave kundër përhapjes së koronavirusit, besimtarët kanë falur namazin vetëm në xhami.

Në Kosovë, Kurban Bajrami filloi pa falur namazin e kësaj feste në xhami, shkaku i situatës së shkaktuar nga koronavirusi.

Dje, kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), Naim Tërnava, njoftoi se falja e namazit të Kurban Bajramit është anuluar me qëllim të ruajtjes së shëndetit publik të popullatës. Po ashtu falja e namazit u anulua në të gjitha xhamitë në vend për dhjetë ditët e ardhshme.

Myftiu Tërnava bëri thirrje për të shmangur edhe vizitat familjare dhe miqësore me rastin e Kurban Bajramit, si dhe që besimtarët t'u përmbahen shtrëngimit të duarve dhe përqafimeve kur të urojnë festën.

Festa e Kurban Bajramit fillon me faljen e namazit herët në xhami, pastaj vazhdon me prerjen e kurbanit, simbolit të festës, si dhe me vizitat tek të afërmit dhe miqtë. Përfaqësuesit e komuniteteve muslimane në këto vende kanë bërë thirrje për kujdes të veçantë shkaku i pandemisë së koronavirusit, duke respektuar distancimin social dhe higjienën.

Gjatë Kurban Bajramit, institucione dhe organizata të ndryshme shqiptare, por edhe nga Turqia do të shpërndajnë mish kurbani për familjet në nevojë, në qytete të ndryshme të Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.