Mësimdhënësit e gjuhës turke të shkollës së mesme në Gostivar bojkotojnë mësimin
"Arsyeja e bojkotit është mbyllja e një paraleleje në gjuhën turke në shkollën e mesme të Gostivarit", thuhet në njoftimin e mësuesve

Shkup
Mësimdhënësit e gjuhës mësimore turke në shkollën e mesme në Gostivar njoftuan se nga 17 shtatori e bojkotojnë mësimin, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Arsyeja e bojkotit është mbyllja e një paraleleje në gjuhën turke në shkollën e mesme të Gostivarit", thuhet në njoftimin e mësuesve.
Në njoftim theksohet se në këtë shkollë mësimi zhvillohet në tri gjuhë mësimore dhe se duke filluar nga viti 1956 në shkollën e mesme të Gostivarit ka mësim të vazhdueshëm në gjuhën turke.
"Duke pasur parasysh se në vitin akademik 2021/2022 gjatë regjistrimit në paralelet turke kemi rritje të numrit të nxënësve të rinj, ndërsa nga ana tjetër po përballemi me mbylljen e një paraleleje në vitin e parë që është e papranueshme për ne", thuhet në njoftim.
Theksohet se në vitin 2021/2022, kur regjistrohen nxënësit në gjuhën mësimore shqipe, nga 102 nxënës të regjistruar janë pranuar të gjithë në 7 paralele; në gjuhën maqedonase nga 19 nxënës të regjistruar 16 janë pranuar në 2 klasa, ndërsa në gjuhën turke nga 62 nxënës të regjistruar 54 u pranuan në dy paralele në vend të tre paraleleve të deritanishme që kishim në 20 vitet e kaluara.
“Me fjalë të tjera, në përqindje, në klasat e gjuhës mësimore shqipe, kemi 14.5 nxënës në një klasë, në klasat maqedonase kemi 8 nxënës në një klasë. Ndërsa në gjuhën mësimore turke me heqjen e një klase kemi 27 nxënës në një klasë. Ky dallim i dukshëm dhe pabarazia e krijuar, në vend që të hapim klasën e tretë që kishim në 20 vitet e fundit, po përballemi me mbylljen e së njëjtës, kështu që ne kërkojmë nga institucionet kompetente kthim të pakushtëzuar të paraleles së tretë", thuhet në njoftim.
"Padrejtësia e bërë ndaj nesh është shembull klasik i diskriminimit etnik", thuhet në njoftim, duke shtuar se për këto arsye, derisa paralelja nuk do t’u kthehet dhe padrejtësia nuk rregullohet, do të bojkotojnë deri në plotësimin e kërkesave të tyre.
Reagime
Kryetari i Lëvizjes së Unitetit Kombëtar Turk (TMBH), Erdogan Saraç, reagoi për rastin në një konferencë për media duke shprehur mbështetje dhe solidaritet të plotë me mësuesit.
"Ne i kërkojmë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës të Maqedonisë së Veriut që ta zgjidhë këtë problem menjëherë, duke marrë parasysh të drejtat dhe liritë tona bazuar në drejtësi dhe ligjet", tha Saraç.
Një njoftimin e Lidhjes së organizatave joqeveritare turke në Maqedoni (MATUISEB) e lëshuar në emër të kryetarit Husrev Emin theksohet se ata dënojnë me forcë mbylljen e një paraleleje në gjuhën turke dhe mbështesin bojkotin.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.