BALLKANI

Myftiu i Kosovës, Tërnava me mesazh urimi në prag të Kurban Bajramit

Tërnava tha se në këtë ditë, zemrat e besimtarëve mbushen me mirënjohje dhe përkushtim, ndërsa duart e tyre shtrihen në ndihmë dhe bujari, ngase kjo festë është një akt që mishëron frymën e afërsisë me Zotin dhe përgjegjësisë ndaj shoqërisë

Agim Sulaj  | 05.06.2025 - Përdıtësım : 05.06.2025
Myftiu i Kosovës, Tërnava me mesazh urimi në prag të Kurban Bajramit

Prishtinë

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava ka uruar besimtarët muslimanë me rastin e festës së Kurban Bajramit, transmeton Anadolu.

Tërnava nëpërmjet një mesazhi nga selia e Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) tha se Kurban Bajrami është përkujtim i sakrificës profetike të profetit Ibrahim i cili ishte i gatshëm që ta flijonte më të dashurin e tij për hir të Zotit të Madhërishëm dhe i cili mësoi se besimi i vërtetë nuk njeh kufij dhe as frikë nga sprovat, por gjen kuptimin më të lartë pikërisht në dorëzimin e plotë ndaj vullnetit hyjnor të Zotit.

Ai tha se në këtë ditë, zemrat e besimtarëve mbushen me mirënjohje dhe përkushtim, ndërsa duart e tyre shtrihen në ndihmë dhe bujari, ngase kjo festë është një akt që mishëron frymën e afërsisë me Zotin dhe përgjegjësisë ndaj shoqërisë.

Myftiu tha se kjo ditë kur miliona besimtarë janë në tokën e shenjtë të Mekës dhe ku do ta kalojnë këtë ditë në rrafshnaltën e Arafatit, përkujton rrugëtimin e shpirtit në kërkim të pastrimit, përuljes dhe bashkimit me të gjithë muslimanët e botës.

"Kurban Bajrami është një festë fetare, por megjithatë ajo bartë në vete edhe mesazhe të thella shoqërore dhe atdhetare. Festa e Bajramit nuk kufizohet vetëm në adhurim, por ajo kontribuon në forcimin e vlerave që ndërtojnë shoqërinë dhe e forcojnë atdheun. Prandaj themi se kjo festë forcon ndjenjën e bashkësisë dhe vëllazërisë ndërmjet nesh, e që është bazë për një shoqëri të shëndoshë dhe një shtet të qëndrueshëm", theksoi Tërnava.

Myftiu bëri thirrje që festa e Kurban Bajramit të ndërlidhet edhe me kujtesën kolektive lidhur me përgjegjësinë e të jetuarit me nder, për ruajtjen e lirisë që u arrit me gjak dhe për të qenë gjithmonë zë i drejtësisë, paqes dhe vlerave hyjnore.

Ai përmendi në urimin e tij edhe përkujtimin e dëshmorëve të Kosovës, nënave të dëshmorëve që ende nuk gjetën eshtrat e bijve dhe bijave të tyre dhe fëmijëve që u rritën pa prindër, por me krenarinë se ata u sakrifikuan për lirinë e popullit.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın