BALLKANI

Muzeu i Bankës Popullore, thesar i trashëgimisë monetare të Maqedonisë së Veriut

Me më shumë se 23.000 ekzemplarë, koleksioni dëshmon për zhvillimin ekonomik të territorit të Maqedonisë së Veriut nga shekulli i gjashtë para erës së re e deri më sot

Aida Cako  | 02.03.2025 - Përdıtësım : 03.03.2025
Muzeu i Bankës Popullore, thesar i trashëgimisë monetare të Maqedonisë së Veriut Foto: Umeys Sulejman/AA

Shkup

SHKUP (AA) – AIDA CAKO - Muzeu i Bankës Popullore të Republikës së Maqedonisë së Veriut është një thesar unik i trashëgimisë monetare të vendit, ku vizitorët mund të shohin monedha dhe kartëmonedha nga periudha të ndryshme historike.

Me më shumë se 23.000 ekzemplarë, koleksioni dëshmon për zhvillimin ekonomik të territorit të Maqedonisë së Veriut nga shekulli i gjashtë para erës së re e deri më sot.

- Monedha nga lashtësia deri në kohët moderne

Ekspozita e muzeut përfshin rreth 3.000 shembuj parash nga periudha të ndryshme, duke përfshirë shembuj nga koha e Filipit të Dytë dhe Aleksandrit të Madh, Perandorisë Romake dhe Perandorisë Osmane.

Katerina Hristovska, drejtuese e muzeut, në një intervistë për Anadolu thekson se monedhat më të vjetra të koleksionit datojnë nga shekulli i gjashtë para erës së re, të prodhuara nga Paionët dhe komunitetet e tyre fisnore që jetonin në këto zona.

“Monedhat më të vjetra prej argjendi u përkasin fiseve Paione Deroni dhe Laiai. Ato përfaqësojnë shprehjen origjinale të sovranitetit politik dhe janë përdorur edhe për nevoja të përditshme”, thotë Hristovska.

Në periudhën antike, monedhat prodhoheshin në qytetet Lihnida, Ohri i sotëm, si dhe Stobi, ndërsa në periudhën mesjetare prodhimi vazhdoi në Ohër, Shkup dhe Kratovë.

Monedhat e para të arit në këtë territor u përdorën në kohën e Filipit të Dytë të Maqedonisë, i cili prezantoi paratë e tij të arit në mesin e shekullit të katërt para erës së re.

- Rëndësia e koleksionit për trashëgiminë kulturore

Koleksioni i Bankës Popullore jo vetëm që ka një rëndësi të madhe për trashëgiminë kulturore të Maqedonisë së Veriut, por edhe i kapërcen kufijtë e lokales.

Sipas Hristovskës, koleksioni mundëson jo vetëm një prezantim të përshtatshëm publik, por edhe studime të përshtatshme lidhur me aspekte të ndryshme të së kaluarës së gjatë monetare të këtij territori.

“Paraqitja e pjesës së përparme dhe të pasme të parasë është një temë shumë komplekse për studiuesit e kësaj materie, para së gjithash për shkak të natyrës zyrtare të parasë dhe shumë shpesh ajo që posedon pjesa e përparme dhe e pasme e secilës monedhë është një shprehje simbolike e fuqisë dhe mirëqenies së sovranit politik në emër të të cilit janë lëshuar”, thotë Hristovska.

- Njëzet vjet përkushtim në numizmatikë

Muzeu i Bankës Kombëtare ekziston për më shumë se dy dekada. Formimi i tij filloi në vitin 1998, koleksioni u krijua zyrtarisht në vitin 2001, ndërsa ekspozita e përhershme muzeore u hap vitin e ardhshëm.

“Qëllimi i krijimit të këtij muzeu në kuadër të Bankës Qendrore ishte krijimi i një përpjekjeje institucionale për mbledhjen, ruajtjen, mbrojtjen, studimin dhe promovimin e trashëgimisë kulturore numizmatike të vendit tonë”, shpjegon Hristovska.

Ekspozita e muzeut është e hapur për vizitorët çdo ditë pune nga ora 9:00 e mëngjesit deri në 15:00 dhe hyrja është falas.

Hristovska fton të gjithë qytetarët kureshtarë dhe turistët të vizitojnë këtë thesar të së kaluarës monetare dhe të zbulojnë se si janë zhvilluar ekonomitë gjatë periudhave të ndryshme historike në territorin e Maqedonisë së Veriut.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.