Kulturë, BALLKANI

Muzeu BunkArt 2 hedh dritë mbi historinë komuniste të Shqipërisë

I njohur edhe si Tuneli i Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe i ndërtuar midis viteve 1981-1986, struktura është regjistruar si pjesë e projektit të ndërtimit të bunkerëve të regjimit komunist.

Dzihat Aliju  | 31.05.2025 - Përdıtësım : 31.05.2025
Muzeu BunkArt 2 hedh dritë mbi historinë komuniste të Shqipërisë Foto: Xhihat Aliju/AA

Tiranë

TIRANË (AA) - XHIHAT ALIJU - Ish-bunkeri antibërthamor në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, i njohur tani si BunkArt 2, u ofron vizitorëve një udhëtim në thellësitë e historisë, duke hedhur dritë mbi atë që ndodhi gjatë epokës komuniste të vendit.

I njohur edhe si Tuneli i Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe i ndërtuar midis viteve 1981-1986, struktura është regjistruar si pjesë e projektit të ndërtimit të bunkerëve të regjimit komunist, i cili filloi në fillim të viteve 1970 dhe çoi në ndërtimin e 175.000 bunkerëve të madhësive të ndryshme në të gjithë vendin.

Konsiderohet si një nga "veprat e mëdha" të fundit të kryera nga regjimi komunist, pasi data e ndërtimit është afër rënies së regjimit komunist, ndërkohë që dokumenton edhe persekutimin komunist.

Ky bunker, në kod i quajtur "Objekti Shtylla", përbëhet nga 24 dhoma, nga një apartament të rezervuar për ministrin e Brendshëm dhe nga një sallë e madhe e dedikuar telekomunikacionit.

Ashtu si shumë bunkerë të tjerë të kësaj madhësie, dhe ky është ndërtuar për të përballuar një sulm kimik e bërthamor të mundshëm. Si Kryeministri i kohës Mehmet Shehu ashtu dhe ish-diktatori Enver Hoxha, të cilët urdhëruan ndërtimin e tij, nuk e kanë parë kurrë të përfunduar për shkak se të dy ndërruan jetë para se punimet të mbylleshin.

- Bunkeri filloi të shërbejë si muze në vitin 2016

Hyrja dhe dalja e bunkerit janë krijuar vetëm në kohët e fundit, pasi në projektin fillestar mund të hyhej në tunel vetëm nga brenda ministrisë.

Ndërtesa, e cila filloi të shërbejë si muze në vitin 2016, nuk është vetëm një bunker fizik, por gjithashtu ruan dokumente, fotografi, video dhe ekspozita interaktive të shumta që tregojnë historinë politike të Shqipërisë së shekullit të 20-të.

Përmes këtyre ekspozitave, vizitorët kanë mundësinë të njihen me strukturën shtypëse të regjimit komunist, kushtet e këqija të jetesës së qytetarëve dhe lëvizjet e rezistencës kundër regjimit.

BunkArt 2 shquhet si pjesa e dytë e projektit që filloi në nëntor 2014, së bashku me BunkArt 1, i cili përfshin edhe bunkerin e ish-diktatorit Enver Hoxha në periferi të Tiranës.

Në muze, vizitorët mund të dëshmojnë epokën komuniste, si dhe shtetin shqiptar të themeluar në vitin 1912, ngritjen e monarkisë, rënien e monarkisë, ngritjen e fashizmit dhe ngritjen e komunizmit.

- "Para 9 vitesh ne e transformuam në një muze kryesisht në nder të viktimave të regjimit komunist"

Sokol Selami, guida e BunkArt2, në një deklaratë për Anadolu, foli rreth historisë së muzeut dhe objekteve dhe materialeve që ekspozohen në të.

Ai tha se ky muze përpara ka qenë një bunker atomik i vërtet, i ndërtuar në vitet 81-86 për ministrin e brendshëm dhe shefin e policisë për rast lufte, që nuk ka ndodh asnjëherë. "Para 9 vitesh ne e transformuam në një muze kryesisht në nder të viktimave të regjimit komunist", tha Selami.

Selami shpjegoi se janë përpjekur sadopak për të dhënë një gjë që në asnjë vend nuk tregohet për historinë e errët të Shqipërisë.

Ai tha se në muze kanë edhe ekspozita me pjesë të gjitha materialeve që nga periudha 1912 deri në periudhën 1991, duke shtuar: "Pra dosiere, armë, relike, pjesën si përdoren çimkat e vërteta, mobiliet e asaj kohe, pra jemi përpjekur që gjithë materialet të jenë sa më origjinale të asaj kohe".

Selami tha se kur është projektuar, bunkeri është projektuar që të lidhet me ministri të ndryshme, ndërsa tashmë që është muze gjithë tunelet janë mbyllur për sigurinë kombëtare.

Ai vuri në dukje se turistë nga e gjithë bota, veçanërisht nga Evropa Perëndimore, tregojnë interes për muzeun, duke shtuar se turistët turq ishin gjithashtu kuriozë për periudhën e errët komuniste të vendit dhe e vizitojnë muzeun me interes.

- Turistët e zbulojnë muzeun nëpërmjet rrjeteve sociale

Michel Sofusi, me origjinë nigeriane e cila jeton në Britaninë e Madhe, tha se e gjeti vendin "të mrekullueshëm", duke shtuar: "E pamë muzeun në rrjetet sociale. Më pëlqeu, dyert janë të forta, nuk e dija se nga çfarë ishte bërë, e mësova këtu".

Sumeya, nga Franca, vuri në dukje gjithashtu se po vizitonte Shqipërinë për herë të parë. "Muzeu është shumë i bukur dhe interesant. E pamë muzeun në rrjetet sociale dhe erdhëm", tha ajo.

Një tjetër turiste tjetër nga Franca, Nouelle Hosas, tha se e vizitoi BunkArt 2 sapo filloi të eksploronte Tiranën dhe se muzeu ishte interesant.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.