BALLKANI

Mustafa Kemal Ataturku përkujtohet në shkollën ku u diplomua në Manastir

Themeluesi i Republikës së Turqisë u përkujtua nëpërmjet një ceremonie me rastin e 127-vjetorit të diplomimit të tij nga Shkolla Ushtarake e Manastirit

Dzihat Aliju  | 13.03.2026 - Përdıtësım : 13.03.2026
Mustafa Kemal Ataturku përkujtohet në shkollën ku u diplomua në Manastir Foto: Umeys Sulejman/AA

Manastir

Në qytetin e Manastirit u organizua ceremoni përkujtimore me rastin e 127-vjetorit të diplomimit të Mustafa Kemal Ataturk nga Shkolla Ushtarake e Manastirit, transmeton Anadolu.

Në ceremoninë e mbajtur në ish-Shkollën Ushtarake të Manastirit, e cila sot funksionon si Muzeu i Qytetit të Manastirit, morën pjesë ambasadori i Turqisë në Shkup, Fatih Ulusoy, zëvendësdrejtori i përgjithshëm për shërbimet administrative në Ministrinë e Mbrojtjes Kombëtare të Turqisë, gjeneral brigade Ramazan Toper, komandanti për Trajnim dhe Doktrinë i Ushtrisë së Maqedonisë së Veriut, gjeneral brigade Lulzim Nuredini, zëvendësministri i Mbrojtjes i Maqedonisë së Veriut, Admir Shabani, kryetari i Komunës së Manastirit, Toni Konjanovski, si dhe politikanë, deputetë, përfaqësues të institucioneve dhe organizatave turke në vend dhe të ftuar të tjerë.

Ceremonia filloi me një minutë heshtje në nderim të Ataturkut dhe bashkëluftëtarëve të tij, si dhe me intonimin e himneve kombëtare të të dy vendeve.

Në fjalën e tij, ambasadori Ulusoy tha: “Manastiri ka një vend të rëndësishëm në historinë e përbashkët të popujve tanë, të cilët kanë jetuar së bashku për shekuj, si dhe në historinë e miqësisë dhe vëllazërisë sonë”.

Ai theksoi se Manastiri, një qytet që zë një vend të veçantë në jetën politike, ekonomike, historike dhe kulturore të Maqedonisë së Veriut, ka qenë nikoqir i Shkollës Ushtarake.

“Këto toka ku u arsimua dhe ku përjetoi atmosferën e pasur kulturore themeluesi i Republikës sonë, Ataturku, janë edhe atdheu i komunitetit turk të Maqedonisë, i cili përbën një urë miqësie mes vendeve tona. Jemi krenarë që historia jonë e lashtë dhe kultura jonë e përbashkët janë burim pasurie për popujt tanë. Kam besim të plotë se Ataturku do të vazhdojë të jetë burim frymëzimi për komunitetin turk në Maqedoni dhe për të rinjtë këtu”, shtoi Ulusoy.

- “Maqedonia e Veriut është element i domosdoshëm për paqen dhe stabilitetin e përhershëm në Ballkan”

Nga ana e tij, Toper tha se sot nuk përkujtohet thjesht një diplomim, por fillimi i një fati të madh. Ai theksoi se arsimi që mori i riu Mustafa Kemal në Shkollën Ushtarake të Manastirit – një nga portat perëndimore të Perandorisë Osmane në shekullin XIX – nga profesorë të ndritur të kohës, pati ndikim të madh në formimin e vetëdijes kombëtare dhe ndërgjegjes historike te ai.

Toper theksoi gjithashtu se Turqia e konsideron Maqedoninë e Veriut si një partner miqësor dhe të besueshëm bashkëpunimi dhe beson se ajo është një element i domosdoshëm për paqen dhe stabilitetin e përhershëm në Ballkan.

“Pa dyshim, në krijimin e lidhjeve të forta mes dy vendeve ka një rol shumë të madh themeluesi i Republikës së Turqisë, Mustafa Kemal Ataturk. Prandaj besojmë plotësisht se ceremonia e organizuar në Shkollën Ushtarake të Manastirit ku ai u diplomua, si dhe ky vend historik, janë ndër faktorët që forcojnë miqësinë dhe bashkëpunimin mes Turqisë dhe Maqedonisë së Veriut”, tha ai.

- “Miqësia Turqi–Maqedoni e Veriut vazhdon të forcohet”

Toper theksoi se miqësia Turqi-Maqedoni e Veriut kontribuon ndjeshëm në paqen dhe stabilitetin në rajon.

“Miqësia dhe marrëdhëniet mes Turqisë dhe Maqedonisë së Veriut, të mbështetura në historinë dhe të kaluarën e përbashkët, vazhdojnë të forcohen në mënyrë të palëkundur me besim të ndërsjellë drejt së ardhmes”, tha ai.

Ndërkohë, Nuredini theksoi se Manastiri është një qytet me histori të thellë dhe trashëgimi të pasur kulturore, duke shtuar se pikërisht në këtë qytet Mustafa Kemal Ataturku hodhi themelet e dijes, disiplinës dhe vlerave.

“Ataturku jo vetëm që e udhëhoqi kombin e tij nëpër kohë të vështira, por gjithashtu hodhi themelet për një shtet modern dhe të fortë”, tha ai.

Pas fjalimeve, të ftuarit vizituan dhomën përkujtimore të Ataturkut dhe nënshkruan në librin e kujtimeve.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın