Murtezani: Procesi i anëtarësimin në BE të bazohet në merita, jo në kushtëzime dypalëshe
"Ne besojmë se procesi i zgjerimit duhet të mbetet i bazuar në merita dhe në qasje të drejtë, ndërsa jo në kushtëzime dypalëshe të cilat janë jashtë vlerave evropiane dhe frymës së Unionit", theksoi ai
Shkup
Ministri për Çështje Evropiane i Maqedonisë së Veriut, Orhan Murtezani, ka pritur në takim homologen e tij suedeze, Jessica Rosencrantz, e cila nga dje qëndron në vizitë pune në Shkup, transmeton Anadolu.
Siç njofton Ministria për Çështje Evropiane, Murtezani dhe Rosencrantz zhvilluan një takim ballë për ballë, pas çka u zhvillua një seancë plenare midis dy delegacioneve.
Në takime u diskutua për integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut, bashkëpunimin dypalësh zhvillimor dhe mbështetjen e Suedisë në procesin e aderimit drejt Bashkimit Evropian (BE).
Murtezani në konferencën e përbashkët për media me homologen e tij suedeze theksoi rëndësinë e ruajtjes së kredibilitetit të politikës së zgjerimit si një nga instrumentet kyçe për stabilitetin dhe prosperitetin e kontinentit.
"Vizita e homologes sime suedeze sjell porosi solidariteti, besimi dhe vizioni për të ardhme të përbashkët, në të cilën Maqedonia e Veriut e sheh pozitën e saj të merituar si anëtare e barabartë e familjes evropiane", tha Murtezani.
Ai theksoi se Maqedonia e Veriut mbetet e përkushtuar ndaj reformave dhe zbatimit të kritereve të Kopenhagës si udhërrëfyes themelor për anëtarësimin në BE.
"Ne besojmë se procesi i zgjerimit duhet të mbetet i bazuar në merita dhe në qasje të drejtë, ndërsa jo në kushtëzime dypalëshe të cilat janë jashtë vlerave evropiane dhe frymës së Unionit", theksoi ai.
Murtezani dhe Rosencrantz vlerësuan se marrëdhëniet dypalëshe në mes Maqedonisë së Veriut dhe Suedisë shquhen për stabilitet, respekt të ndërsjellë dhe përforcim permanent të bashkëpunimit në të gjitha fushat.
Ai shprehu mirënjohje për mbështetjen e deritanishme dhe siguroi se kjo vizitë do të kontribuojë në thellimin e iniciativave të përbashkëta, veçanërisht në fushën e tranzicionit të gjelbër dhe digjital, inovacionit dhe zhvillimit ekonomik.
Në njoftimin e ministrisë gjithashtu theksohet se në kushte të sfidave globale, bashkëbiseduesit u dakorduan se një Evropë e bashkuar dhe stabile mund të ndërtohet vetëm përmes partneriteteve të bazuara në besim, solidaritet dhe vlera të përbashkëta.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
