Murtezani në Strasburg: Rruga jonë e gjatë e integrimit evropian nuk e ndalon vizionin për anëtarësim të plotë
“Për Maqedoninë e Veriut, rruga evropiane kurrë nuk ka qenë aspiratë e largët. Gjithmonë ka qenë detyrë e përditshme, përpjekje e disiplinuar angazhimi të shndërrohet në rezultate”, ka thënë ministri për Çështje Evropiane
Shkup
Ministri për Çështje Evropiane i Maqedonisë së Veriut, Orhan Murtezani, u adresua sot në takimin e 24-t të Komitetit të Përzier Parlamentar BE-Maqedoni e Veriut, i cili po mbahet sot dhe nesër në Parlamentin Evropian në Strasburg, transmeton Anadolu.
Sipas një njoftimi nga kabineti i Murtezanit, takimi, i kryesuar nga anëtarë të Parlamentit Evropian dhe Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, iu përkushtua marrëdhënieve midis Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian, me theks në të drejtat themelore dhe lirinë e shprehjes, sundimin e së drejtës dhe luftën kundër korrupsionit, progresin në negociatat e aderimit, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe stabilitetin rajonal, si dhe çështje në fushat e mjedisit, transportit, energjetikës, lidhjes infrastrukturore, digjitalizimit dhe inteligjencës artificiale.
Në fjalën e tij, Ministri Murtezani iu referua prioriteteve kryesore të vendit në procesin evropian, duke theksuar përkushtimin drejt reformave në kuadër të Planit të Rritjes dhe Agjendës së Reformave.
“Për Maqedoninë e Veriut, rruga evropiane kurrë nuk ka qenë aspiratë e largët. Gjithmonë ka qenë detyrë e përditshme, përpjekje e disiplinuar angazhimi të shndërrohet në rezultate. Plani i Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor i ka dhënë kësaj përpjekjeje dimension të ri. Ai është edhe njohje e asaj që është arritur dhe ftesë për thellimin e mëtutjeshëm të progresit”, ka thënë Murtezani.
Ai ka theksuar se vendi vazhdon me zbatimin e hapave thelbësore reformuese, si dhe me përgatitjen e investimeve të rëndësishme që do të përforcojnë harmonizimin ekonomik dhe institucional me Bashkimin Evropian.
“Ishim vendi i parë në rajon që vuri në funksion Instrumentin për Reforma dhe Rritje dhe mori para-financim prej më shumë se pesëdhjetë e dy milionë euro. Agjenda e reformave që kemi miratuar është gjithëpërfshirëse dhe ambicioze, mbulon reforma në qeverisje dhe administratë publike, sundimin e së drejtës, energjetikë dhe tranzicionin e gjelbër, digjitalizimin dhe zhvillimin e kapitalit njerëzor. Ajo i jep strukturë reformave tona dhe qartësi në qëllimet tona”, ka thënë Murtezani, duke shtuar se agjenda e investimeve në kuadër të Planit të Rritjes vazhdon të rritet si në vëllim, ashtu edhe në vizion.
Ai ka theksuar se paralelisht, po punohet për finalizimin e udhërrëfyesve për hapjen e kapitujve të Sundimit të së Drejtës dhe Reformave në Administratën Publike, si pikë referimi fillestare për klasterin “Vlerat Themelore”.
Murtezani iu referua edhe vlerësimeve të Raportit Vjetor të Komisionit Evropian për vitin 2025, duke theksuar se raporti konfirmon progresin e vazhdueshëm të Maqedonisë së Veriut dhe se rekomandimet e Komisionit tanimë janë të përfshira në planifikimin nacional.
Në fjalën e tij, ministri ka përmendur edhe premtimin e bërë dy dekada më parë, në Selanik, se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në familjen evropiane.
“Ky premtim duhet të vazhdojë të jetojë jo vetëm me fjalë, por edhe përmes veprave. Për Maqedoninë e Veriut, rruga e së cilës ka qenë e gjatë dhe shpesh e përmbushur me sfida jashtë kritereve të Kopenhagës, rruga evropiane dhe anëtarësimi i plotë mbeten çështje e bindjes së fuqishme, e jo të komforit”, ka shtuar ai.
Murtezani në fund ka theksuar se çdo reformë që zbaton vendi, përforcon bindjen se “Evropa është më e fuqishme kur mban premtimin e saj dhe se Unioni është i plotë kur ata që kanë pritur më gjatë përfundimisht pranohen si anëtarë të plotfuqishëm”.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
