Mucunski: Zgjidhja e konfliktit në Ukrainë pa SHBA-në do të ishte një “qasje joserioze dhe e pasinqertë”
Ai tha se politika e jashtme e vendit të tij bazohet në tre konstante, në anëtarësimin e plotë në NATO, përafrimin me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë së BE-së, si dhe në partneritetin strategjik me SHBA-në
Shkup
Mucunski qëndron në Hungari në kuadër të samitit qeveritar Hungari-Maqedoni e Veriut, që po mbahet këto dy ditë në Budapest. Delegacioni qeveritar i Maqedonisë së Veriut, i kryesuar nga kryeministri Hristijan Mickoski, përbëhet nga 10 ministra dhe dy zv/kryeministra.
Mucunski dhe homologu i tij hungarez, Peter Szijjarto, pas takimit të tyre folën në një konferencë të përbashkët për media.
Duke iu përgjigjur një pyetje për qëndrimin e Shkupit për atë nëse mënyra e vetme për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë është përmes bisedimeve amerikano-ruse, Mucunski theksoi rezolutën e miratuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së që bën thirrje për paqe.
“Viteve të fundit të gjithë kemi folur për respektimin e së drejtës ndërkombëtare dhe parimeve të saj. Tani kemi një rezolutë ligjërisht të detyrueshme për të kërkuar paqen. Kushdo që mendon se zgjidhja e një lloj lufte apo konflikti të tillë, me ndikime të tilla gjeostrategjike, mund të arrihet pa SHBA-në, ka një qasje joserioze dhe të pasinqertë ndaj këtij konflikti”, tha Mucunski.
Ai tha se politika e jashtme e Maqedonisë së Veriut bazohet në tre konstante, në anëtarësimin e plotë në NATO, përafrimin me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë së BE-së, si dhe në partneritetin strategjik me SHBA-në.
- Szijjarto: Paqja në Ukrainë mund të arrihet vetëm me një marrëveshje amerikano-ruse
Szijjarto, nga ana e tij, theksoi se Hungaria dhe Maqedonia e Veriut mbështesin paqen në Ukrainë, të cilën siç tha ai, e kanë treguar me mbështetjen e Rezolutës në OKB.
"Ne dhe Republika e Maqedonisë së Veriut jemi në anën e paqes. E mbështesim presidentin Trump dhe gjithashtu suksesin e bisedimeve amerikano-ruse, sepse e shohim qartë se paqja mund të arrihet vetëm përmes një marrëveshjeje amerikano-ruse. Maqedonasit dhe hungarezët janë të interesuar për kthimin e paqes dhe këtë e dëshmon bashkëpunimi ynë që nga java e kaluar në OKB kur e mbështetëm rezolutën e SHBA-së. Në fund u miratua propozimi i SHBA-së", tha Szijjarto.
Ministri hungarez tha se arritja e paqes nuk është vetëm në interes të Maqedonisë së Veriut dhe Hungarisë, por është në interes të të gjithëve, sepse “përforcimi i ekonomisë së vendeve të BE-së varet nga paqja dhe zgjerimi i BE-së drejt Ballkanit Perëndimor.
- Zhvillimet për paqen në Ukrainë
Më 28 nëntor, gjatë vizitës së tij në Washington, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, hyri në një debat të ashpër me presidentin amerikan, Donald Trump dhe zv/presidentin JD Vance, të cilët e akuzuan vazhdimisht si mosmirënjohës për mbështetjen e amerikanëve për Ukrainën.
Lufta verbale zgjati rreth dhjetë minuta në Shtëpinë e Bardhë, ndërsa Zelenskyy u përpoq të mbronte veprimet e tij në konfliktin më shumë se trevjeçar me Rusinë.
Zelenskyy më pas u largua nga Shtëpia e Bardhë dhe nënshkrimi i planifikuar i marrëveshjes kyç të mineraleve dhe konferenca e përbashkët për shtyp u anuluan. Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
