Mucunski takon në Vjenë homologun e tij hungarez Szijjarto, vlerësohet bashkëpunimi dypalësh
Diskutimet mbuluan tema që lidhen me zhvillimet aktuale në rajon dhe Evropë, partneritetin brenda NATO-s dhe procesin e anëtarësimit në BE
Shkup
Në margjinat e takimit ministror të OSBE-së në Vjenë, ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, është takuar me homologun e tij hungarez, Peter Szijjarto, transmeton Anadolu.
Siç njofton Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut, ministrat shprehën kënaqësi për bashkëpunim dinamik dypalësh midis dy vendeve si dhe për dialogun e vazhdueshëm politik në nivel të lartë.
"Ata theksuan potencialin e fortë për forcimin e bashkëpunimit në një numër sektorësh dhe për vazhdimin e mbështetjes së ndërsjellë në formate të ndryshme shumëpalëshe. U theksua edhe gatishmëria e të dy vendeve për të intensifikuar më tej bashkëpunimin në periudhën e ardhshme", tha ministria.
Gjithashtu u përshëndet mbajtja e fundit e sesionit të pestë të Komisionit të Përbashkët për Bashkëpunim Ekonomik midis dy vendeve si mekanizëm i rëndësishëm për forcimin e bashkëpunimit dypalësh në disa fusha.
Diskutimet mbuluan edhe tema që lidhen me zhvillimet aktuale në rajon dhe Evropë, partneritetin brenda NATO-s dhe procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE), duke theksuar mbështetjen e rëndësishme që Hungaria i jep Maqedonisë së Veriut në këtë proces.
