Mucunski: Së bashku me kryediplomatin italian do të organizojmë një diskutim shumë të rëndësishëm për Korridorin 8
“Unë dhe homologu im italian, Antonio Tajani, do të jemi bashkë-pritës të kësaj ngjarje, ku shpresojmë të mund të diskutojmë jo vetëm për Korridorin 8, por edhe për Ballkanin Perëndimor...”, theksoi ministri Mucunski
Shkup
Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, ka bërë të ditur se në margjinat e takimit ministror të NATO-s, do të ketë një diskutim të rëndësishëm për Korridorin 8, i cili siç tha ai, ka rëndësi kyçe politike dhe sigurie për përmirësimin e lidhshmërisë, por gjithashtu edhe për mobilitetin strategjik ushtarak, transmeton Anadolu.
Mucunski këto komente i bëri gjatë mbërritjes në takimin e sotëm të shefave të diplomacive të vendeve anëtare të Aleancës në Bruksel.
“Unë dhe homologu im italian, Antonio Tajani, do të jemi bashkë-pritës të kësaj ngjarje, ku shpresojmë të mund të diskutojmë jo vetëm për Korridorin 8, por edhe për Ballkanin Perëndimor, ku ka ndikim të madh nga Rusia, Kina dhe gjithashtu nga aktorë të tjerë të interesuar”, theksoi Mucunski.
Sa i përket takimit ministror, Mucunski theksoi se do të flitet për zbatimin e asaj që u dakordua në Samitin e NATO-s në Hagë, për planet për forcimin e gatishmërisë së aleancës, si dhe për mbështetjen ndaj Ukrainës, në kushte kur shihet një moment dhe një dritare mundësish për arritjen e paqes, për të cilën, siç tha ai, janë të përkushtuar tërësisht sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, si dhe gjithë ekipi i tyre.
“E shohim këtë dritare të qartë mundësish për arritjen e një paqeje të tillë dhe sigurisht do të qëndrojmë në mbështetje të këtij momenti ekzistues”, shtoi ai.
