BALLKANI

Mucunski pritet në takim në Vilnius nga homologu i tij lituanez, fokusi në integrimin evropian

"Fokus i veçantë u vu në integrimin evropian, duke theksuar nevojën për angazhim të përbashkët dhe të shtuar për të përshpejtuar procesin, veçanërisht në dritën e presidencës së ardhshme lituaneze me Këshillin e BE-së", thuhet në njoftim

Abdulbesar Ademi  | 27.11.2025 - Përdıtësım : 27.11.2025
Mucunski pritet në takim në Vilnius nga homologu i tij lituanez, fokusi në integrimin evropian Foto: MPJ e Maqedonisë së Veriut

Shkup

Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, i cili sot dhe nesër ndodhet në një vizitë pune në Vilnius të Lituanisë, është pritur në një takim nga homologu i tij lituanez, Kestutis Budrys, transmeton Anadolu.

Siç njofton Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut, të dy ministrat shprehën kënaqësinë që vizita po zhvillohet në vitin kur të dy vendet shënojnë 30-vjet marrëdhënie diplomatike. Ata theksuan gatishmërinë për të promovuar partneritetin dhe bashkëpunimin në disa fusha me interes të ndërsjellë.

Bisedat mbuluan një sërë temash, përfshirë bashkëpunimin dypalësh, koordinimin brenda organizatave shumëpalëshe dhe partneritetin në NATO. "Fokus i veçantë u vu në integrimin evropian, duke theksuar nevojën për angazhim të përbashkët dhe të shtuar për të përshpejtuar procesin, veçanërisht në dritën e presidencës së ardhshme lituaneze me Këshillin e BE-së", thuhet në njoftim.

Mucunski shpreh mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme nga Lituania si dhe për solidaritetin dhe ndihmën që vendi mori pas zjarrit në Koçani, që mori jetën e 63 personave dhe 200 të tjerë mbetën të plagosur.

Dy ministrat diskutuan edhe për çështjet aktuale të sigurisë, përfshirë situatën në Ukrainë dhe sfidat që lidhen me sigurinë dhe stabilitetin evropian në rajon.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.