Mucunski: Politika e jashtme e vendit është vlerësuar më së larti në Raportin e BE-së
"Politika e jashtme renditet më lart përmes prizmit të vlerave që vlerëson BE-ja, duke ruajtur njëkohësisht partneritetin strategjik me SHBA-në", tha ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Mucunski
Shkup
Ministri i Punëve të Jashtme dhe i Tregtisë së Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski tha se politika e jashtme e vendit të tij është vlerësuar më së larti në Raportin e Bashkimit Evropian (BE), transmeton Anadolu.
Mucunski në një program televiziv e komentoi raportin e fundit të Komisionit Evropian si dhe çështjet tjera që ndërlidhen me politikën e jashtme të vendit. Ai theksoi se puna e ministrisë me të cilin ai udhëheq u vlerësua më së larti në raport.
"Politika e jashtme dhe bashkëpunimi rajonal u vlerësuan më së larti. Morëm lëvdata për përafrimin tonë me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë, për partneritetin tonë historik në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë", tha Mucunski duke shtuar se:
"Në periudhë komplekse gjeopolitike, kur marrëdhëniet transatlantike nuk janë ato që ishin dikur dhe në kushte konfliktesh në disa vende të botës, politika e jashtme renditet më lart përmes prizmit të vlerave që vlerëson BE-ja, duke ruajtur njëkohësisht partneritetin strategjik me SHBA-në".
Duke iu referuar vërejtjeve në raport në lidhje me sundimin e ligjit, Mucunski shtoi se Qeveria do të bëjë gjithçka që është e nevojshme në periudhën e ardhshme për të eliminuar të gjitha dobësitë, pas së cilës do të priten veprime të përshtatshme nga institucionet gjyqësore.
- Presim që në gjysmën e parë të vitit 2026, qytetarët të përfitojnë nga roamingu falas në BE
Lidhur me integrimin evropian, kryediplomati Mucunski tha se fokusi i shtetit në të ardhmen do të jetë në përmbushjen e detyrimeve aktuale, me qëllim shfrytëzimin e interesit të BE-së për zgjerim dhe të gjitha mekanizmave që mundësojnë integrimin gradual të vendeve kandidate.
"Aktualisht jemi në proces të nënshkrimit të të ashtuquajturit protokoll për përjashtim nga shërbimet e roamingut, që përfshin ndryshime në disa ligje dhe akte nënligjore, mbi të cilat po punohet me zell. Pres që procesi të përfundojë deri në fund të vitit. Në gjysmën e parë të vitit 2026 qytetarët do të ndiejnë përfitimet e roamingut falas", tha Mucunski.
Për hapat e ardhshëm në procesin e anëtarësimit në BE, Mucunski shprehu pritjen e tij se do të gjendet mënyrë për të siguruar parashikueshmëri dhe vazhdimësi në integrimin evropian.
Sa i përket Samitit të Zgjerimit të BE-së që u mbajt në Bruksel, Mucunski tha se mesazhi më i rëndësishëm nga ky aktivitet është se konteksti gjeopolitik e detyron BE-në ta shohë procesin e zgjerimit si proces të bashkimit të Evropës, i cili, përveç rëndësisë ekonomike, ka edhe rëndësi sigurie.
