Mucunski në Belfast: Përgjigje të përbashkët ndaj rreziqeve moderne të sigurisë
Diskutimet në Belfast u përqendruan në bashkëpunimin rajonal, perspektivat evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe sfidat e përbashkëta të sigurisë

Shkup
Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, po merr pjesë në takimin e ministrave të jashtëm në kuadër të Procesit të Berlinit, i cili po zhvillohet sot në kryeqytetin e Irlandës së Veriut, Belfast, transmeton Anadolu.
Siç njofton Ministria e Punëve të Jashtme, diskutimet në Belfast u përqendruan në bashkëpunimin rajonal, perspektivat evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe sfidat e përbashkëta të sigurisë.
Në fjalimin e tij, Mucunski theksoi nevojën për një përgjigje të përbashkët ndaj rreziqeve moderne të sigurisë, kërcënimeve hibride dhe kibernetike, dezinformimit, migrimit, financimit të paligjshëm dhe krimit të organizuar, të cilat ndikojnë më tej në sigurinë dhe stabilitetin, duke minuar institucionet dhe besimin publik.
Në takim u theksua se politika e zgjerimit e Bashkimit Evropian (BE) përfaqëson kornizë jetësore për transformimin e shoqërive dhe promovimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, standardeve demokratike dhe sundimit të ligjit.
Po ashtu bashkërisht u konstatua se integrimi gradual, Plani i Zhvillimit dhe Tregu i Përbashkët Rajonal e afrojnë ndjeshëm Ballkanin Perëndimor me BE-në si dhe e bëjnë procesin e anëtarësimit më të dukshëm për qytetarët.