Moti i keq në Shqipëri, vazhdon angazhimi i autoriteteve për normalizimin e situatës
Sipas autoriteteve, po punohet për evakuimin e familjeve të prekura nga moti i keq, për hapjen e rrugëve të bllokuara apo dëmtuara dhe vendosjen e pritave mbrojtëse apo ndihmën ndaj banorëve që rrezikohen nga rrëshqitjet e tokës
Tiranë
Moti me reshje të dendura shiu në dy ditët e fundit ka shkaktuar probleme në disa bashki të Shqipërisë, transmeton Anadolu.
Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë në një njoftim ka theksuar se në disa zona po punohet për evakuimin e familjeve të prekura nga moti i keq, për hapjen e rrugëve të bllokuara apo dëmtuara dhe vendosjen e pritave mbrojtëse apo ndihmën ndaj banorëve që rrezikohen nga rrëshqitjet e tokës.
"Strukturat e mbrojtjes civile, njësitë vendore dhe Forcat e Armatosura kanë punuar pa ndërprerje gjatë 24 orëve të fundit për menaxhimin e prurjeve të larta si pasojë e reshjeve të shiut, pastrimin e akseve rrugore, mbrojtjen e banesave dhe evakuimin e qytetarëve në zonat e rrezikuara", thuhet në njoftim.
Për situatën e krijuar nga moti i keq, ka reaguar edhe ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, i cili në rrjetet sociale ka shkruar se reshjet e mbrëmjes së djeshme e deri në orët e para të mëngjesit kanë paraqitur një situatë sfiduese në shumë zona të Shqipërisë.
"Mjetet e rënda të Komandës Mbështetëse dhe efektivët e Forcat e Armatosura të Shqipërisë mbeten në angazhim të përhershëm në ruajtjen dhe krijimin e infrastrukturës parandaluese, dhe në komunikim me banorët. Ekipet operative Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile të shpërndara në territor po monitorojnë situatën dhe organizojnë punën për minimalizimin e pasojave", ka theksuar Vengu.
Kujtojmë se Shqipëria është përfshirë nga moti i keq në ditët e fundit me reshje të dendura shiu në disa zona, ku si pasojë janë përmbytur banesa, tokë bujqësore dhe janë dëmtuar disa ura dhe janë bllokuar disa akse rrugore.
