BALLKANI

Monumenti NEWBORN merr pamje të re në Prishtinë me mesazh reflektues për rrugëtimin e Kosovës

Mesazhi i këtij koncepti reflekton rrugëtimin e Kosovës gjatë viteve, duke përballuar sfida me qëndrueshmëri dhe duke u forcuar në procesin e zhvillimit të saj

Abdulbesar Ademi  | 16.02.2026 - Përdıtësım : 17.02.2026
Monumenti NEWBORN merr pamje të re në Prishtinë me mesazh reflektues për rrugëtimin e Kosovës Foto: Erkin Keçi / AA

Prishtinë

Monumenti i pavarësisë NEWBORN i vendosur në qendër të kryeqytetit Prishtinë, simboli më i njohur i shtetësisë së Kosovës, ka marrë një pamje të re dhe një mesazh të përditësuar me rastin e 18-vjetorit të shpalljes së pavarësisë, raporton Anadolu.

Krijuesi i monumentit, Fisnik Ismaili, ka zbuluar konceptin artistik për këtë vit, sipas tij i bazuar në artin tradicional japonez “Kintsugi”, teknikë kjo që simbolizon “shërimin, forcimin dhe rritjen e vlerës pas sfidave dhe vështirësive”.

Mesazhi i këtij koncepti reflekton rrugëtimin e Kosovës gjatë viteve, duke përballuar sfida me qëndrueshmëri dhe duke u forcuar në procesin e zhvillimit të saj.

Monumenti NEWBORN, i vendosur përballë Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, është një skulpturë tipografike dhe një pikë referimi simbolike që përkujton Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, e cila për pesë vite qëndroi me pamjen e njëjtë dhe më pas është ri-ngjyrosur çdo vit për t’iu përshtatur temave të ndryshme që nxjerrin në pah situata dhe aspirata të shoqërisë kosovare.

Çdo paraqitje e re e monumentit NEWBORN ka një mesazh artistik dhe social, duke shërbyer si platformë reflektimi për qytetarët dhe vizitorët.

Monumenti ka tërhequr vëmendjen ndërkombëtare që nga shpallja e tij si pjesë e përvjetorit të pavarësisë dhe vazhdon të jetë një nga atraksionet më të vizituara dhe më të diskutueshme kulturore të kryeqytetit kosovar.

NEWBORN ka fituar gjithsej shtatë çmime ndërkombëtare, ndër to çmimin më të lartë në botë në fushën e dizajnit, atë të "Luanit të Artë" në Kanë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.