BALLKANI

Miratohet deklarata e përbashkët e Tiranës për Korridorin 8

Në përfundim të ministerialit u miratua një deklaratë e përbashkët, ndërkohë ministrja Spiropali, ministri Tajani, ministri Mucunski dhe zëvendësministri Pavlov mbajtën konferencë të përbashkët për mediat

Fatjon Cuka  | 18.02.2026 - Përdıtësım : 19.02.2026
Miratohet deklarata e përbashkët e Tiranës për Korridorin 8 Foto: Olsi Shehu/AA

Tiranë

Në Shqipëri u mbajt sot Ministeriali i Korridorit 8, me fokus diskutimet mbi avancimin e bashkëpunimit në fushën e ndërlidhjes, qëndrueshmërisë dhe integrimit rajonal, ndërkohë në përfundim të ministerialt u miratua edhe një deklaratë e përbashkët, raporton Anadolu.

Në përfundim të ministerialit, ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, zëvendëskryeministri dhe ministri për Punët e Jashtme i Italisë, Antonio Tajani, ministri i Punëve të Jashtme dhe i Tregtisë së Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski dhe zëvendësministrit i Jashtëm i Bullgarisë, Nikolay Pavlov mbajtën konferencë të përbashkët për mediat.

- "Korridori 8 ka domethënie strategjike me rëndësi politike, ekonomike dhe të sigurisë"

Sipas deklaratës së përbashkët të miratuar sot, Korridori 8 ka domethënie strategjike me rëndësi politike, ekonomike dhe të sigurisë, "duke kontribuar në kohezionin evropian, bashkëpunimin rajonal dhe integrimin gradual të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian".

"Nënvizojmë se zbatimi i koordinuar dhe në kohë i Korridorit 8 adreson boshllëqet e kahershme të ndërlidhjes në Evropën Juglindore, duke rritur njëkohësisht besueshmërinë, vizibilitetin dhe ndikimin e prekshëm të angazhimit të shtuar të BE-së për integrimin e plotë të rajonit në hapësirën e përbashkët evropiane të sigurisë, stabilitetit dhe prosperitetit. Theksojmë se ky projekt strategjik infrastrukturor përbën një kuadër kyç për ndërtimin e besimit politik, forcimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe thellimin e kontakteve ndërmjet njerëzve, veçanërisht mes të rinjve", thuhet në deklaratën e përbashkët.

Gjithashtu thuhet se dënohet fuqishëm "lufta e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës" dhe mbështesim përpjekjet ndërkombëtare politike dhe diplomatike për arritjen e një marrëveshjeje "që i jep fund konfliktit".

"Pranojmë se Ballkani Perëndimor dhe rajoni i Detit të Zi përbëjnë tregje dhe zona tranziti të rëndësishme për tregtinë evropiane dhe ndërkombëtare. Nënvizojmë se Korridori 8 është një projekt themelor infrastrukturor që lehtëson flukset tregtare. Rikonfirmojmë angazhimin tonë të fortë ndaj Korridorit 8 si prioritet për rritjen e lëvizshmërisë ushtarake, qëndrueshmërisë dhe ndërlidhjes, në kuadër të bashkëpunimit të forcuar BE–NATO, duke kontribuar drejtpërdrejt në sigurinë e krahëve juglindorë dhe lindorë të Aleancës, si në kohë paqeje, ashtu edhe në kohë krize dhe konflikti", thekson deklaratë.

- "Deklarata e përbashkët e Tiranës për Korridorin 8 pasqyron angazhimin tonë të përbashkët politik"

Spiropali tha gjatë konferencës për mediat se në ministerial, fokusi u vendos tek progresi në praktikë për Korridorin 8.

"Hekurudha duhet të lidhet me hekurudhën, rruga me rrugën, dhe portet duhet të lidhen siç duhet me zonat e tyre të ndikimit ekonomik/zonat e brendshme të shërbimit, pa vonesa apo pengesa strukturore. Për herë të parë, po harmonizojmë afatet kohore dhe prioritetet përgjatë gjithë korridorit", tha Spiropali.

Ajo tha se qëllimi është që ta bëjnë Korridorin 8 një korridor të vërtetë evropian, dhe sipas saj jo vetëm një vijë në hartë. "Në këtë frymë, miratuam deklaratën e përbashkët të Tiranës për Korridorin 8, e cila pasqyron angazhimin tonë të përbashkët politik dhe forcon bashkëpunimin ndërinstitucional", tha ajo.

Tajani theksoi se Ballkani Perëndimor ka një rëndësi strategjike për Italinë. "Korridori 8 është i një rëndësie thelbësore për Italinë, është një përparësi e qartë. Ne kemi miratuar sot një deklaratë të përbashkët sepse ne duhet të hapim rrugën për hapat e mëtejshëm të bashkëpunimit tonë ndërmjet vendeve tona për zbatimin e punës në këtë korridor. Korridori 8 është një nga aspektet më të rëndësishme evropiane. Ne duhet të punojmë fort në këtë drejtim, për rëndësinë staregjike që ka ky projekt", tha Tajani.

Kryediplomati i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski u shpreh se Korridori 8 mund të jetë i suksesshëm vetëm nëse i sjellin të gjithë aktorët kyç në këtë nismë.

"Korridori 8 është një lidhje strategjike midis Detit Adriatik dhe Detit të Zi. Në botën e sotme, ndërlidhshmëria nuk është thjesht një slogan, është një fuqi, është një pikë e fortë. Diskutimet tona ishin shumë të hapura dhe të drejtpërdrejta. Për vendin tim angazhimi është i qartë, jemi në qendër të korridorit 8", tha Mucunski.

Zëvendësministri i Jashtëm i Bullgarisë, Nikolay Pavlov theksoi se aktiviteti i sotëm është tërësisht në përputhje me objektin e përbashkët strategjik, për të forcuar sipas tij ndërlidhshmërinë, bashkëpunimin rajonal dhe sigurinë kolektive.

"Vendi im vlerëson fort angazhimin e madh politik të dëshmuar sot nga partnerët tanë. Ndërtimi i Korridorit 8 ka qenë përparësi më rëndësi kombëtare për Bullgarinë gjithmonë. Në mjedisin aktual gjeopolitik, Korridori 8 mbart rëndësi specifike të mbrojtjes dhe sigurisë. Bullgaria mbetet tërësisht e përkushtuar për të realizuar të gjithë komponentët e Korridorit 8", tha Pavlov.

Në kuadër të ministerialit, do të zhvillohet edhe forumi ekonomik për Korridorin 8 me temë: "Nga lidhja strategjike drejt rritjes ekonomike rajonale: Potenciali ekonomik i Korridorit 8".

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın