BALLKANI

Ministrja Kusari-Lila: Përmes tregut të përbashkët rajonal, CEFTA-s, përfitojnë bizneset dhe qytetarët

Përfaqësues nga delegacioni i BE-së në Prishtinë thanë se do ta mbështesin Kosovën në procese të tilla, teksa theksuan se shpresojnë që dinamika e punës në tregun rajonal të vazhdojë edhe këtë vit

Agim Sulaj  | 17.03.2026 - Përdıtësım : 17.03.2026
Ministrja Kusari-Lila: Përmes tregut të përbashkët rajonal, CEFTA-s, përfitojnë bizneset dhe qytetarët Foto: Erkin Keçi/AA

Prishtinë

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINT) po mban punëtori të përgatitur bashkë me Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA), raporton Anadolu.

Me këtë rast, ministrja e MINT-it, Mimoza Kusari-Lila tha se përmes tregut të përbashkët rajonal, CEFTA-s, përfitojnë bizneset dhe qytetarët.

"Ne e shohim Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore, jo vetëm si një marrëveshje, por, si një instrument praktik për lehtësimin e tregtisë, heqjen e barrierave dhe mundësinë që bizneset tona të rriten, të investojnë dhe të jenë në gjendje të konkurrojnë në tregje më të mëdha", tha Kusari-Lila.

Ajo tha se Kosova tashmë ka dëshmuar përkushtimin e saj të fortë përmes kryesimit në vitin 2025, duke treguar kapacitetin për të udhëhequr një bashkëpunim rajonal.

Përfaqësues nga delegacioni i Bashkimit Evropian në Prishtinë thanë se do ta mbështesin Kosovën në procese të tilla, teksa theksuan se shpresojnë që dinamika e punës në tregun rajonal të vazhdojë edhe këtë vit.

Drejtoresha e sekretariatit të CEFTA-s, Pranvera Kastrati tha se përmes marrëveshjes rajonale për tregtinë e lirë u ofrohen shumë lehtësira bizneseve si dhe dëgjohen kërkesat e sektorit privat.

Kastrati tha se vendet e Ballkanit Perëndimor e kanë aktualisht Bruto Produktin Vendor (BPV) për kokë banori vetëm rreth 40 për qind të mesatares së BE-së dhe me ritmin aktual i duhet kohë deri në vitin 2074 për të arritur mesataren e BE-së.

"Vendet e Ballkanit Perëndimor aktualisht ndodhen në rreth 40 për qind të mesatares së BPV-së për kokë banori të BE-së dhe me ritmin aktual të konvergjencës, do të na duhen deri në vitin 2074 për të arritur mesataren e BE-së. Për këtë arsye, përshpejtimi dhe avancimi i tregtisë rajonale dhe integrimit në tregun e vetëm të BE-së është i rëndësishëm dhe përbën një domosdoshmëri për të gjitha ekonomitë tona", tha Kastrati.

Në këtë punëtori i pranishëm ishte edhe drejtori i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna i cili tha se marrëveshja e CEFTA-s luan rol të rëndësishëm në integrimin e bizneseve kosovare në tregun evropian.

Sipas tij, kjo marrëveshje gjatë viteve është zhvilluar në një shtyllë kyçe të bashkëpunimit rajonal dhe ka ndikuar që kompanitë kosovare të integrohen më mirë në zinxhirin evropian dhe të rrisin eksportin.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.