Ministrja Koçiu: Pasuritë e konfiskuara nga krimi do të administrohen në shërbim të komunitetit në Shqipëri
Në një konferencë për mediat, ministrja e Punëve të Brendshme e Shqipërisë, Albana Koçiu, u fokusua në nismat e fundit ligjore dhe prioritetet e punës të ministrisë që ajo drejton
Tiranë
Ministrja e Punëve të Brendshme e Shqipërisë, Albana Koçiu, ka deklaruar se asetet dhe pasuritë e konfiskuara nga krimi do të administrohen në shërbim të komunitetit në Shqipëri, raporton Anadolu.
Në një konferencë për mediat, ministrja Koçiu u fokusua në nismat e fundit ligjore dhe prioritetet e punës të ministrisë që ajo drejton.
"Një pikë tjetër e rëndësishme që përfshin ministrinë është rregullimi i territorit i cili gjithashtu është një problematikë e konstatuar shpesh me një sërë çështjesh. Kemi iniciuar një bazë ligjore e cila do të ndryshojë, që ka të bëjë me riorganizimin e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, me riorganizimin e policisë bashkiake dhe me riorganizimin e prefektit të qarkut, që janë tre institucione që kanë një rol shumë të rëndësishëm kur vjen puna e mbikëqyrjes dhe kontrollit të territorit", tha ajo.
Koçiu theksoi se për të ofruar shërbime më të mira për qytetarët dhe për të koordinuar më mirë mes institucioneve është i domosdoshëm një sistem i saktë adresash.
Në lidhje me çështjen e adresave ajo tha se kanë nisur punën me bashkitë për të rishikuar planet e tyre vendore.
Koçiu u shpreh se gjatë vitit 2025 janë 65 milionë euro asete dhe pasuri të sekuestruara dhe konfiskuara që kanë rrjedhur nga krimi, dhe sipas saj në bashkëpunim më institucionet do të administrohen në shërbim të komunitetit.
Ministrja Koçiu theksoi se kanë propozuar një rritje të re pagash sa i përket punonjësve të policisë.
Ajo foli edhe në lidhje me protestën e sotme antiqeveritare, duke theksuar se protestat janë një e drejtë kushtetuese për të protestuar në mënyrë paqësore. "Në çdo rast, kushdo që kryen një veprim të paligjshëm procedohet penalisht sipas rregullave në fuqi", u shpreh Koçiu.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
