BALLKANI

Ministrja Gërvalla: Përpjekjet e Vuçiqit për manipulimin e të vërtetës ndjekin të njëjtin skenar si të Moskës

"Banjska nuk ishte një incident. Ajo ishte pjesë sistematike e asaj që Serbia e Vuçiqit, me mbështetjen dhe udhëzimin e Rusisë së Putinit, është shndërruar në mes të Evropës: një kërcënim serioz ushtarak", tha ministrja Gërvalla

Agim Sulaj  | 24.09.2025 - Përdıtësım : 24.09.2025
Ministrja Gërvalla: Përpjekjet e Vuçiqit për manipulimin e të vërtetës ndjekin të njëjtin skenar si të Moskës

Prishtinë

Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë, Donika Gërvalla-Schwarz, në përvjetorin e dytë të sulmit në Banjska të Komunës së Zveçanit, ka thënë se përpjekjet e regjimit të presidentit serb Vuçiq për manipulimin e të vërtetës janë të të njëjtit skenar me ato të Moskës, transmeton Anadolu.

Kryediplomatja kosovare e cila po qëndron në New York, në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Sesionit të 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, nëpërmjet rrjetit social amerikan X tha se aktet e agresionit të Serbisë ndaj Republikës së Kosovës më 24 shtator 2023 kanë ngritur alarmin në NATO, SHBA, BE dhe në të gjithë Perëndimin.

"Përpjekjet e regjimit të Vuçiqit për të manipuluar të vërtetën ndjekin të njëjtin skenar si ai i Moskës: ashtu si aleati i tij Lavrov, edhe ministri i Jashtëm i Serbisë po përpiqet pa sukses të fshehë agresionin e vitit 2023, i cili u planifikua, trajnua, organizua dhe financua nga vetë Serbia. Provave të paraqitura në aktakuzën e gjykimit që është duke vazhduar, u është e pamundur t'u iket", shkroi Gërvalla-Schwarz.

Ajo tha se ashtu si Moska, edhe Serbia nuk tërhiqet nga agresioni dhe gënjeshtrat e saj, e cila për më tepër, "po strehon dhe mbron terroristin kryesor, i cili publikisht mori përgjegjësinë si komandant i atij agresioni ushtarak", duke pasur për qëllim Milan Radoiçiqin, i cili mori përgjegjësinë e sulmeve në Banjska.

Sipas ministres Gërvalla, Kosova dhe qeveria e saj janë ndër më pro-perëndimoret në botë dhe lidhja e Kosovës me SHBA-në është po aq e forta sa lidhja e Serbisë me Rusinë.

Ajo tha se ndërkohë që ministri i Jashtëm i Vuçiqit vazhdon të përsërisë gënjeshtra në stilin e Lavrovit, Serbia po thellon madje edhe lidhjet ushtarake me Rusinë dhe Kinën ndërsa vetë Vuçiqi ka ofenduar përfaqësuesit perëndimorë duke i quajtur "plehra".

"Banjska nuk ishte një incident. Ajo ishte pjesë sistematike e asaj që Serbia e Vuçiqit, me mbështetjen dhe udhëzimin e Rusisë së Putinit, është shndërruar në mes të Evropës: një kërcënim serioz ushtarak. Është koha të trajtohet siç duhet, para se të jetë tepër vonë", shtoi Gërvalla-Schwarz.

Më 11 shtator të vitit 2024, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë ndaj 45 personave në rastin e sulmit terrorist në Banjskë, përfshirë këtu edhe për Milan Radoiçiqin, për të cilin autoritetet kosovare kërkuan që të gjykohet në Kosovë.

Të akuzuarit ngarkohen për veprat penale "Kryerja e veprës terroriste", "Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës", "Lehtësimi dhe financimi në kryerjen e terrorizmit" si dhe "Shpëlarja e parave".

Më 24 shtator të vitit 2023, një grup i armatosur serb e pati sulmuar Policinë e Kosovës në Banjskë, duke lënë të vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Nga shkëmbimi i zjarrit janë vrarë edhe tre sulmues serbë ndërkaq pjesa tjetër e grupit kishte ikur në drejtim të Serbisë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın