Ministrja e Kulturës: Jam e bindur se do të bëjmë çmos që në vitin 2028 të jemi krenarë për Shkupin
Ministrja Bisera Kostadinovska-Stojçevska tha se titulli "Kryeqytet Evropian i Kulturës" është një sukses i madh për kulturën maqedonase dhe "test për qëndrimit tonë ndaj saj"

Shkup
Ministrja e Kulturës e Maqedonisë së Veriut, Bisera Kostadinovska-Stojçevska, e shoqëruar nga kryetarja e qytetit të Shkupit, Danela Arsovska dhe ambasadori i Bashkimit Evropian (BE) në Shkup, David Geer, mbajtën një konferencë të përbashkët për media me rastin e zgjedhjes së Shkupit si "Kryeqytet Evropian i Kulturës" për vitin 2028, raporton Anadolu.
Ministrja Kostadinovska-Stojçevska tha se ky është një sukses i madh për kulturën maqedonase dhe "test për qëndrimit tonë ndaj saj".
Ajo shtoi se ky titull, njëkohësisht kërkon shumë punë, duke shtuar se Qeveria është zotuar për mbështetje të parezervë.
“Ky titull që i është dhënë kryeqytetit tonë nga ekspertët e Komisionit Evropian, nuk është çmim, është një shans, një mundësi dhe si ministre e Kulturës jam e bindur se do të bëjmë çmos që në vitin 2028 të krenohemi me Shkupin, por edhe Shkupi të krenohet me ne”, tha ministrja.
Kryetarja e qytetit të Shkupit, Danela Arsovska, në fjalën e saj theksoi se fakti që Shkupi u zgjodh unanimisht nga të 9 anëtarët vlerësues, tregon një konfirmim serioz të përkushtimit.
“E gjithë administrata e qytetit është meritore për këtë dhe jam e lumtur që do të ketë mundësi të vazhdojmë, pavarësisht kush do të jetë kryetar bashkie, kush është kryetar bashkie dhe kush ka qenë kryetar bashkie, të realizojmë dhe të gjitha ato gjëra që kanë qenë ëndërr prej kohësh për të gjithë ne”, tha Arsovska.
Ambasadori evropian David Geer, i cili një pjesë të fjalimit e mbajti në gjuhën maqedonase, përgëzoi për "arritjen e madhe".
"Çmimi 'Kryeqytet Evropian i Kulturës' për vitin 2028 është një arritje e madhe. Është gjithashtu një njohje e pasurisë kulturore dhe diversitetit që posedon ky qytet. Qyteti juaj, kultura juaj", tha ambasadori Geer.
Në konferencën për media ishin të pranishëm edhe anëtarët e grupit që e përgatiti aplikacionin, të cilët thanë se janë planifikuar projekte të ndryshme që do të pasqyrojnë Shkupin multikulturor.
Sipas planeve të Komisionit Evropian, në vitin 2028 tre qytete duhet të mbajnë titullin "Kryeqytet Evropian i Kulturës": një qytet në Republikën Çeke, një në Francë dhe një qytet nga një vend jashtë Bashkimit Evropian, edhe atë nga një anëtar i EFTA/ZEE, vend kandidat ose një kandidat potencial për anëtarësim në BE.
Shkupi konkurroi me Budvën për t'u bërë Kryeqyteti Evropian i Kulturës për vitin 2028 në një vend jashtë BE-së.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.