Ministria e Jashtme e Kosovës: Mbi 900 kosovarë ndodhen në Lindjen e Mesme, janë në gjendje të mirë
MPJD bëri të ditur se është në komunikim të vazhdueshëm me qytetarët e Republikës së Kosovës që ndodhen në Lindje të Mesme, me qëllim të përcjelljes së gjendjes së tyre dhe ofrimit të mbështetjes së nevojshme
Prishtinë
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës (MPJD), ka bërë të ditur se mbi 900 shtetas të Kosovës të cilët ndodhen aktualisht në Lindjen e Mesme janë në gjendje të mirë, transmeton Anadolu.
MPJD bëri të ditur se është në komunikim të vazhdueshëm me qytetarët e Republikës së Kosovës që ndodhen në Lindje të Mesme, me qëllim të përcjelljes së gjendjes së tyre dhe ofrimit të mbështetjes së nevojshme.
Sipas të dhënave të MPJD-së, në Izrael ndodhen 21 qytetarë të Kosovës, në Arabinë Saudite 331 qytetarë, ndërsa në Emiratet e Bashkuara Arabe rreth 400 rezidentë dhe 70 turistë të lajmëruar deri më sot.
Po ashtu, sipas MPJD-së, në Katar ndodhen 75 qytetarë, në Kuvajt rreth 60, në Bahrein katër dhe në Oman dy qytetarë të Kosovës.
Sipas informacioneve nga misionet diplomatike, të gjithë qytetarët aktualisht janë në gjendje të mirë shëndetësore.
MPJD ka bërë të ditur se po punon në mënyrë të koordinuar me autoritetet e shteteve përkatëse për të identifikuar dhe siguruar opsionet më të përshtatshme për evakuim, nëse kjo paraqitet si e nevojshme.
Ndërkohë, Ministria e Punëve të Jashtme e Emirateve të Bashkuara Arabe ka njoftuar se kufijtë tokësorë me Omanin mbeten të hapur, ndërsa janë të disponueshme edhe disa opsione fluturimi, nga Rijadi drejt Frankfurtit dhe nga Xhideja drejt Prishtinës.
Megjithatë, institucionet vendore të shteteve të rajonit rekomandojnë që në këtë fazë të mos ndërmerren udhëtime deri në qetësimin e plotë të situatës së sigurisë. Sipas tyre, çdo udhëtim në rrethana të tilla bëhet me përgjegjësi individuale, pasi shtetet nuk mund të marrin përgjegjësi për pasojat e mundshme nga zhvillimet e paparashikueshme.
MPJD u ka bërë thirrje qytetarëve që të qëndrojnë të qetë, të ndjekin udhëzimet e autoriteteve lokale, të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të mbajnë kontakt të rregullt me përfaqësitë diplomatike.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
