BALLKANI

Ministria e Drejtësisë në Kosovë shpalos të arriturat gjatë vitit 2020

Ministri i Drejtësisë në Kosovë, Selim Selimi tha se ka pranuar kërkesë për ndihmë financiare nga mbrojtja e të akuzuarve të ish-pjesëtarëve të UÇK-së që aktualisht ndodhen në Hagë

Agim Sulaj  | 29.12.2020 - Përdıtësım : 30.12.2020
Ministria e Drejtësisë në Kosovë shpalos të arriturat gjatë vitit 2020 ( Erkin Keçi - Anadolu Agency )

Prishtinë

Ndryshimi substancial i legjislacionit në sektorin e drejtësisë duke rishikuar dhe hartuar projekt-kode, projektligje, koncept-dokumente dhe akte të tjera nënligjore dhe angazhimi në përmbushjen e kërkesave të dala nga Agjenda Evropiane ka qenë fokus i punës së Ministrisë së Drejtësisë (MD) për vitin 2020, raporton Anadolu Agency (AA).

Këtë e deklaroi ministri i Drejtësisë në Kosovë, Selim Selimi në konferencën përmbyllëse të vitit 2020, duke theksuar se gjatë këtij viti është themeluar edhe grup punues për hartimin e modaliteteve dhe skenarëve për çështje të reformës në sistemin e drejtësisë me qëllim të adresimit të llogaridhënies, përfshirë vetingun.

Me vendim të ministrisë, Selimi tha se gjatë këtij viti janë kryer edhe disa zhvarrime në lokacione që përfshinë Kosovën dhe Serbinë.

“Instituti i Mjekësisë Ligjore ka zbatuar urdhëresat për zhvarrime, duke marrë pjesë në 15 lokacione: 12 lokacione në Republikën e Kosovës dhe 3 lokacione në Republikën e Serbisë, si rezultat i këtyre zhvarrimeve janë gjetur gjithsej 11 trupa (mbetje mortore). Po ashtu, ka kryer autopsi për 230 raste, ekzaminime klinike për 62 raste si dhe janë punuar 138 analiza nga laboratori i toksikologjisë”, tha Selimi.

Në fushën e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar janë sipas ministrit janë procesuar 2.254 kërkesa për ndihmë të ndërsjellë juridike ndërsa në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar janë realizuar 28 ekstradime, prej të cilave 12 nga Kosova drejt vendeve të huaja dhe 16 nga shtetet e huaja për në Kosovë.

Në këtë konferencë, Selimi ka thënë se ka pranuar kërkesë për mbështetje financiare nga mbrojtja e shtatë ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Përpos konfirmimit të kësaj kërkese e cila siç tha ministri është në shqyrtim, nuk ka dhënë detaje më shumë për shkak të asaj se mund të dëmtohet mbrojtja e secilit prej të akuzuarve.

“Unë mund të konfirmoj se kemi pranuar disa kërkesa nga të akuzuarit potencial. Komisioni ka filluar punën në shqyrtimin e këtyre kërkesave dhe shpresoj që gjatë kësaj jave të gjitha këto kërkesa do të adresohen. Rrjedhimisht pas adresimit të këtyre kërkesave bashkë me Financave dhe Thesarin do të bëjmë ndarjen e atyre mjeteve të kërkuara”, theksoi Selimi.

Sipas raportit nga Ministria e Drejtësisë për pasqyrën e punës, bëhet e ditur se Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar ka ekzekutuar gjithsej 92 vendime të dërguara nga gjykatat, për administrimin e pasurisë të sekuestruar ose të konfiskuar.

Gjatë këtij viti ministria një vëmendje të veçantë i ka kushtuar kompensimit të viktimave të krimit ku ka shqyrtuar 55 raste të paraqitura, nga të cilat 22 janë aprovuar dhe shuma e kompensuar është mbi 91 mijë euro.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.