Ministri Sveçla diskuton për situatën e sigurisë me homologun kroat Bozhinoviq
Në këtë takim, dy ministrat diskutuan për situatën e sigurisë në të dy vendet, me theks të veçantë mbi rrethanat e reja të krijuara dhe përkushtimin e ndërsjellë për forcimin e bashkëpunimit në këtë fushë

Prishtinë
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, i cili po qëndron në një vizitë zyrtare në Kroaci, është pritur në takim nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Brendshëm kroat, Davor Bozhinoviq, transmeton Anadolu.
Siç bëhet e ditur nga MPB e Kosovës, në këtë takim të dy ministrat kanë diskutuar për situatën e sigurisë në të dy vendet, me theks të veçantë mbi rrethanat e reja të krijuara dhe përkushtimin e ndërsjellë për forcimin e bashkëpunimit në këtë fushë.
"Gjatë këtij takimi, u ri konfirmua se Republika e Kosovës dhe Republika e Kroacisë gëzojnë marrëdhënie të shkëlqyera bashkëpunimi, veçanërisht në fushën e sigurisë, të bazuara në qëllime të përbashkëta për paqe, stabilitet dhe siguri të qëndrueshme në rajon", thuhet në njoftim.
Vizita e ministrit Sveçla në Zagreb po bëhet në kuadër të Ministerialit të Forumit të Salzburgut që po mbahet në Kroaci, nën udhëheqjen e ministrit Bozhinoviq.
Në këtë Ministerial do të vazhdojnë diskutimet mbi çështje kyçe të sigurisë me rëndësi për rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë.