Ministri Mucunski takohet me eurokomisioneren për zgjerim Marta Kos në Bruksel
Mucunski theksoi se qeveria mbetet plotësisht e angazhuar për avancimin e procesit integrues dhe për përmbushjen e reformave të BE-së dhe obligimeve të ndërmarra në kuadër të agjendës reformuese
Shkup
Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, në kuadër të vizitës së tij në Bruksel ka zhvilluarnjë takim me eurokomisioneren e Bashkimit Evropian (BE) për zgjerim , Marta Kos, transmeton Anadolu.
Siç njofton Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut, në takim u diskutua për ecurinë e procesit të anëtarësimit, agjendën reformuese të shtetit, si dhe për zbatimin e Planit për rritje.
Duke përshëndetur bashkëpunimin konstruktiv dhe të hapur me Komisionin Evropian dhe shërbimet e tij, Mucunski theksoi se qeveria mbetet plotësisht e angazhuar për avancimin e procesit integrues dhe për përmbushjen e reformave të BE-së dhe obligimeve të ndërmarra në kuadër të agjendës reformuese.
Në këtë drejtim, u përshëndet edhe përparimi në disa iniciativa që sjellin përfitime konkrete për qytetarët dhe ekonominë, si aderimi në Zonën e Vetme Evropiane të Pagesave (SEPA) dhe aktivitetet për përafrim me rregullat e roamingut të BE-së.
Gjatë bisedës, thuhet në njoftim, u hapën edhe çështje të tjera aktuale në fushën e bashkëpunimit sektorial me BE-në, me fokus në integrimin ekonomik dhe lidhshmërinë.
Më herët gjatë ditës, Mucunski mbajti një brifing me përfaqësuesit e vendeve anëtare në Grupin e Punës për Zgjerim pranë Këshillit të Bashkimit Evropian (COELA), ku rikonfirmoi përkushtimin e qeverisë ndaj rrugës evropiane, me fokus në rezultate konkrete reformuese për përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe përafrimin e mëtejshëm me standardet e BE-së.
Ai gjithashtu paraqiti një pasqyrë të aktiviteteve aktuale për përshpejtimin e procesit integrues, duke theksuar nevojën për një proces të qartë, të parashikueshëm dhe të bazuar në merita, si interes i përbashkët për vendet kandidate dhe ato anëtare.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
