Ministri Mucunski paralajmëron fazë të re në marrëdhëniet ekonomike me Emiratet e Bashkuara Arabe
"Ekziston interes serioz nga EBA për investime në Maqedoninë e Veriut si dhe një dialog institucional aktiv për përgatitjen dhe nënshkrimin e dy marrëveshjeve të rëndësishme", tha Mucunski
Shkup
Ministri i Punëve të Jashtme dhe i Tregtisë së Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski paralajmëroi fazë të re në marrëdhëniet ekonomike me Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), me qëllim ndërtimin e një "partneriteti specifik dhe të veçantë", transmeton Anadolu.
Duke folur në një emision në MTV 1, Mucunski deklaroi se ekziston interes serioz nga EBA për investime në Maqedoninë e Veriut si dhe një dialog institucional aktiv për përgatitjen dhe nënshkrimin e dy marrëveshjeve të rëndësishme, marrëveshje për partneritet strategjik dhe marrëveshje për tregti të lirë.
Ai theksoi se marrëveshja për partneritet strategjik do të lehtësojë investimet e ndërsjella ndërsa marrëveshja për tregti të lirë do të kontribuojë në forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar mes dy vendeve.
Sipas tij, interesi nga ana e EBA është konkret ndërsa ekzistojnë edhe mundësi financimi, me një portofol të gjerë projektesh potenciale.
- "Qeveria ka qëllim të qartë për përmirësimin e standardit të jetesës së qytetarëve"
Ai shtoi se Qeveria, së bashku me institucionet kompetente, po i qaset me kujdes dhe përgjegjësi realizimit të këtyre marrëveshjeve.
Ministri theksoi se Qeveria ka synim të qartë për përmirësimin e standardit të jetesës së qytetarëve përmes tërheqjes së investimeve të huaja dhe mbështetjes së kompanive vendase.
Si konfirmim i seriozitetit të bisedimeve, Mucunski përmendi pjesëmarrjen e tij të fundit në forumin e mbyllur "Sir Bani Yas" në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku, siç theksoi, ishte ministri i parë i Punëve të Jashtme nga Maqedonia e Veriut i ftuar për të marrë pjesë.
