BALLKANI

Ministri Mucunski nga New Yorku: Jemi duke forcuar marrëdhëniet dypalëshe me SHBA-në

Duke iu referuar dialogut strategjik me SHBA-në, Mucunski tha se kjo nënkupton një sërë masash konkrete që synojnë përmirësimin e marrëdhënieve midis dy vendeve

Ajdin Aliji  | 23.09.2025 - Përdıtësım : 23.09.2025
Ministri Mucunski nga New Yorku: Jemi duke forcuar marrëdhëniet dypalëshe me SHBA-në

Shkup

Ministri i Punëve të Jashtme dhe i Tregtisë së Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski nga New Yorku foli për marrëdhëniet dypalëshe me SHBA-në, sesionin e dytë të dialogut strategjik dhe axhendën intensive politike në kuadër të Asamblesë së 80-të të Përgjithshme të OKB-së, transmeton Anadolu.

Në një intervistë televizive nga New Yorku, duke iu referuar dialogut strategjik me SHBA-në, Mucunski tha se kjo nënkupton një sërë masash konkrete që synojnë përmirësimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.

"Në takimin në maj me sekretarin e Shtetit, Marco Rubio, përcaktuam prioritetet e përbashkëta në lidhje me marrëdhëniet dypalëshe dhe shumëpalëshe si dhe dinamikën e zgjeruar tregtare dhe ekonomike. Hap pas hapi, shohim se si po realizohen këto prioritete. Brenda kornizës së dialogut, do të hapim disa tema, përfshirë lehtësimin e vizave, nuk premtojmë se kjo do të ndodhë menjëherë, por tashmë është vënë në tryezë në bisedimet me administratën në Washington", tha Mucunski.

Ai theksoi se me partnerët në Aleancë, ndajnë shqetësime të përbashkëta në lidhje me sfidat evropiane dhe globale, dhe është gjithmonë e rëndësishme kur koordinojnë qëndrimet dhe shkëmbejnë mendime në një nivel të lartë.

"Në fushën e tarifave, jemi në fazën përfundimtare të përgatitjes së një zgjidhjeje të re që do të sjellë tarifa më të ulëta si të përgjithshme ashtu edhe të veçanta për produkte të caktuara që eksportojmë në SHBA. Tashmë kemi një draft tekst, negociatat po vazhdojnë me sukses dhe pres që një version përfundimtar t'i paraqitet publikut së shpejti", shtoi ministri.

Mucunski potencoi rëndësinë e takimeve të shumta me liderët botërorë, duke thënë se ato janë mundësi për të afirmuar më së miri qëndrimet parimore të Qeverisë për të gjitha çështjet thelbësore dhe strategjike.

Ai informoi për axhendën dinamike në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, me theks në kontaktet dypalëshe për të promovuar marrëdhëniet politike dhe ekonomike si dhe për vendosjen e prioriteteve të reja me interes rajonal dhe global.

"Ne do të vazhdojmë të përdorim të gjitha mundësitë që ka vendi në fushën shumëpalëshe, sepse diplomacia nuk duhet të mbetet abstrakte ajo duhet të sjellë përfitime konkrete për qytetarët", tha ministri Mucunski.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın