Ministri maqedonas i Transportit: Brukseli drejt një strategjie të re për vizat pas protestave të transportuesve
"Pas protestave dhe ofensivës së fortë të periudhës së kaluar, Brukseli do të miratojë strategji të re për vizat që do të thotë zgjidhje të problemit me të cilin janë përballur shoferët profesionistë", tha zv/kryeministri Nikolloski
Shkup
Zv/kryeministri dhe ministri i Transportit i Maqedonisë së Veriut, Aleksandar Nikolloski, ka zbuluar "lajme të shkëlqyera" nga Brukseli lidhur me problemin e transportuesve të mallrave të vendit të tij, të cilët së bashku me transportues të disa vendeve të tjera të rajonit protestuan kundër rregullave të reja në zonën Shengen, transmeton Anadolu.
"Pas protestave dhe ofensivës së fortë të periudhës së kaluar, Brukseli do të miratojë një strategji të re për vizat që do të thotë zgjidhje të problemit me të cilin janë përballur shoferët profesionistë", shkroi Nikolloski.
Ai në një postim në rrjetet sociale, ku bashkangjiti edhe një dokument që e cilësoi si "pjesa më e rëndësishme" e strategjisë së re, tha se "pikëpamjet tona janë pranuar".
Shoqatat e transportit të mallrave nga disa vende të Ballkanit Perëndimor kanë ngritur kundërshtime të forta ndaj ndryshimeve të planifikuara në mënyrën se si BE-ja zbaton rregullat e qëndrimit afatshkurtër në zonën Shengen, duke paralajmëruar se masat mund të prishin rëndë logjistikën dhe tregtinë ndërkufitare.
Shoferët e kamionëve nga Maqedonia e Veriut, Serbia, Bosnjë e Hercegovina dhe Mali i Zi më 26 janar nisën protestat në pikat kufitare për të reaguar ndaj sistemit të ri të menaxhimit kufitar të Evropës, Sistemit të Hyrje/Daljes (EES).
- BE-ja planifikon rregulla të reja për qëndrime të shkurtra të zgjatura, do të rishikojë “marrëveshjet dypalëshe të vizave”
Në dokument përmendet se ligji i BE-së aktualisht autorizon qëndrimet brenda zonës Shengen deri në 90 ditë brenda 180 ditëve për udhëtarët pa vizë dhe ata që kërkojnë vizë dhe çdo qëndrim që tejkalon 90 ditë kërkon një vizë afatgjatë ose leje qëndrimi të lëshuar nga një shtet anëtar.
“Komisioni Evropian do të punojë me shtetet anëtare për të gjetur zgjidhje praktike që lejojnë qëndrime të shkurtra të zgjatura për kategori të caktuara shtetasish nga vende të treta, duke synuar përfitime ekonomike dhe të sigurisë për BE-në si dhe më shumë qartësi ligjore për udhëtarët”, thuhet në dokument.
Gjithashtu theksohet se Brukseli po shqyrton edhe legjislacion të ri në nivel të BE-së për rregulla të posaçme mbi këto qëndrime, teksa do të rishikojë marrëveshjet ekzistuese dypalëshe që lejojnë qëndrime të zgjatura, me synim heqjen graduale të tyre.
Ndër hapat e ardhshëm të përmënedura në këtë dokument përfshihen digjitalizimi i procedurave të vizave, nisja e sistemit ETIAS në vitin 2026, shqyrtimi i vizave me shumë hyrje dhe vlefshmëri më të gjatë, si dhe përshtatja e kuadrit të vizave afatgjata për të mbështetur inovacionin dhe kërkimin.
