Ministri kosovar Liburn Aliu jep dorëheqje nga pozita
Aliu tha se dorëheqja e tij vjen pas zgjedhjes së djeshme të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Dimal Bashës

Prishtinë
Ministri në detyrë i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu ka dorëzuar kërkesën e tij për dorëheqje te kryeministri në detyrë, Albin Kurti, transmeton Anadolu.
Aliu e bëri të ditur këtë nëpërmjet rrjeteve sociale, i cili tha se dorëheqja e tij vjen pas zgjedhjes së djeshme të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Dimal Bashës.
Ai tha se për këtë vendim e kishte njoftuar kryeministrin Kurti edhe dje menjëherë pas votimit te kryetarit të Kuvendit.
"Konsideroj që zgjedhja e djeshme e kryetarit të Kuvendit, institucionit më të lartë, ku vendosen ligjet dhe jep llogari qeveria, nuk është në frymën e në lartësinë e atij ideali për Republikën që ka qenë dhe mbetet arsye angazhimi për mua", theksoi Aliu.
Dimal Basha u zgjodh dje kryetar i Kuvendit të Kosovës me mbështetjen e votave nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), e cila tha se do ta votojë secilin kandidat të propozuar nga Vetëvendosje që nuk ka qenë pjesë e qeverisë.
Emërimi i Bashës në krye të Kuvendit zhbllokoi ngërçin disamujor institucional, që prej zgjedhjeve të përgjithshme të mbajtura më 9 shkurt 2025.