BALLKANI

Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut takohet me Sekretarin amerikan të Shtetit në Washington

Dy kryediplomatët kanë “konfirmuar bashkëpunimin e shkëlqyer midis dy vendeve, i cili bazohet në vlera të përbashkëta, interesa politike dhe miqësi të gjatë”.

Shpetim Hiseni  | 29.05.2025 - Përdıtësım : 29.05.2025
Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut takohet me Sekretarin amerikan të Shtetit në Washington Foto: Ministria e Jashtme e Maqedonisë së Veriut

Shkup

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, ka zhvilluar sot në Washington takim dypalësh me Sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio, transmeton Anadolu.

Sipas një njoftimi të Ministrisë së Jashtme të Maqedonisë së Veriut, dy kryediplomatët kanë “konfirmuar bashkëpunimin e shkëlqyer midis dy vendeve, i cili bazohet në vlera të përbashkëta, interesa politike dhe miqësi të gjatë”.

“Ministri Mucunski theksoi angazhimin e qeverisë maqedonase për të avancuar dialogun politik me SHBA-në, si dhe angazhimin konkret për institucionalizimin e partneritetit strategjik përmes zbatimit të një Plani të Përbashkët Veprimi”, thuhet në njoftim.

Gjatë bisedës janë diskutuar mundësitë për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve tregtare, arritjen e një hapi të rëndësishëm përpara dhe progresi në uljen e tarifave dhe mundësinë e fillimit të procesit të nënshkrimit të një Marrëveshjeje të Tregtisë së Lirë.

Mucunski ka theksuar gatishmërinë e qeverisë së vendit të tij për të avancuar bashkëpunimin ekonomik, tërheqjen e investimeve amerikane dhe rritjen e pranisë së kompanive amerikane në vend.

“U shkëmbyen mendime edhe për bashkëpunimin e sigurisë brenda NATO-s, ku vendi ynë vazhdon të japë një kontribut aktiv si një aleat i besueshëm, me investime që tejkalojnë 2 për qind të PBB-së në sektorin e mbrojtjes. Vëmendje e veçantë iu kushtua stabilitetit dhe zhvillimit rajonal në Ballkanin Perëndimor”, tha Ministria e Jashtme.

Mucunski ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme nga Shtetet e Bashkuara, me sigurimin se partneriteti strategjik do të vazhdojë të zhvillohet me dinamikë edhe më të madhe dhe rezultate konkrete, në nivel dypalësh, rajonal dhe global.

“Po e përfundojmë vizitën tonë në SHBA me një takim domethënës me Sekretarin e Shtetit Marco Rubio, në të cilin edhe një herë konfirmuam lidhjen e fortë strategjike midis dy vendeve, angazhimin e përbashkët për stabilitetin rajonal, integrimin tonë evropian, si dhe investimet në siguri dhe mbrojtje si aleatë të NATO-s”, ka thënë Mucunski pas takimit.

Ai ka deklaruar se ka marrë siguri të fortë se partneriteti dhe aleanca midis dy vendeve mbeten thelbësore.


Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın