Ministri i Ekonomisë dhe Punës i Maqedonisë së Veriut takohet me homologun azerbajxhanas
Ministria e Ekonomisë dhe Punës e Maqedonisë së Veriut njoftoi se në takim u nënvizua interesi për bashkëpunim në fushat e energjetikës, bujqësisë, turizmit, farmacisë, infrastrukturës dhe investimeve në ndërmarrjet e vogla dhe të mesme

Shkup
Ministri i Ekonomisë dhe Punës i Maqedonisë së Veriut, Besar Durmishi, sot ka realizuar një takim me delegacionin zyrtar të Republikës së Azerbajxhanit, të kryesuar nga ministri i Ekonomisë, Mikayil Jabbarov, me rastin e shënimit të 30-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve, transmeton Anadolu.
"Vizita juaj sot nuk është vetëm një gjest diplomatik, por një moment simbolik dhe thelbësor. Ky përvjetor është një rast për të kujtuar, por edhe mundësi për një vizion për të forcuar dhe thelluar bashkëpunimin tonë ekonomik dhe strategjik", theksoi ministri Durmishi, sipas njoftimit nga Ministria e Ekonomisë dhe Punës e Maqedonisë së Veriut.
Gjatë takimit u nënvizua interesi për bashkëpunim në fushat e energjetikës, bujqësisë, turizmit, farmacisë, infrastrukturës dhe investimeve në ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.
Ministri Durmishi tha se ky takim paraqet një urë drejt korridorit jugor të gazit, drejt tregjeve të Kaukazit dhe drejt një të ardhmeje të përbashkët, të qëndrueshme dhe të ndërlidhur ekonomikisht.
"Jam i bindur se kjo është vetëm fillimi i një partneriteti të ri dhe më të fuqishëm", tha ministri Durmishi.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.