Ministri i Brendshëm i Maqedonisë së Veriut takon homologun slloven në Ohër
Ministri slloven Poklukar tha se Sllovenia e mbështet plotësisht Maqedoninë e Veriut në rrugën e saj të integrimit drejt në BE dhe shprehu gatishmërinë e tij për të ndihmuar në rrugën evropiane

Shkup
SHKUP (AA) - Ministri i Punëve të Brendshme i Maqedonisë së Veriut, Pançe Toshkovski ka pritur në takim homologun e tij slloven Boshtjan Poklukar dhe delegacionin shoqërues në Ohër, i cili qëndron në vend për një vizitë zyrtare dy-ditore, transmeton Anadolu.
Sipas njoftimit të ministrisë, takimi u përqendrua në promovimin e bashkëpunimit të ndërsjellë dhe thellimin e lidhjeve të shkëlqyera miqësore midis dy ministrive dhe forcave policore në luftën kundër krimit të organizuar, situatën me migracionin e paligjshëm, kontrollin e brendshëm dhe bashkëpunimin midis qendrave të trajnimit policor.
Delegacioni maqedonas në takim propozoi nënshkrimin e një Memorandumi Mirëkuptimi midis Qendrës së Trajnimit të Ministrisë së Brendshme të Maqedonisë së Veriut dhe Akademisë Policore Sllovene për të forcuar bashkëpunimin në fushën e arsimit dhe trajnimit të përbashkët të kadetëve dhe oficerëve të policisë nga të dy forcat policore.
Ministri Toshkovski e falënderoi homologun e tij për gjithë mbështetjen që Sllovenia dhe Ministria e Brendshme Sllovene u ka ofruar vazhdimisht si në përballimin e zjarreve vitin e kaluar ashtu edhe këtë vit, si dhe për gjithë mbështetjen që ua kanë dhënë në përballimin e pasojave të tragjedisë që ndodhi në Koçan këtë vit.
"Republika e Sllovenisë dhe ministria e saj janë një nga partnerët dhe mbështetësit kryesorë në reformat që po bëjmë, duke përdorur njohuritë dhe përvojën e tyre, siç është për ligjet e reja për policinë dhe punët e brendshme. Gjithashtu po fillojmë bashkëpunimin në iniciativën tonë për të hapur një Shoqatë Rajonale të Akademive të Policisë, trajnimin për oficerët e policisë me qëllim profesionalizimin, arsimimin shtesë me qëllim krijimin e një force policore evropiane efikase", tha Toshkovski.
Ministri i Brendshëm slloven Poklukar, nga ana e tij, theksoi se miqësia dhe bashkëpunimi i madh midis dy popujve dhe shteteve transmetohet edhe në ministritë e brendshme.
"Vlerësimi ynë është se Ministria e Brendshme dhe policia maqedonase po bëjnë një punë të shkëlqyer dhe unë gjithmonë e kam theksuar këtë në Evropë si anëtar i Këshillit të Ministrave të Brendshëm të Evropës. Ne do të mbështesim idenë e shkëlqyer të një Shoqate Rajonale të Akademive të Policisë dhe do të marrim pjesë në të për të krijuar forca policore profesionale në Ballkan për një rajon më të sigurt për të gjithë. Ne jemi tashmë aleatë së bashku në NATO dhe mbështetja jonë do të vazhdojë në çdo hap që ju ndërmerrni drejt bashkimit me komunitetin tonë evropian të kombeve, ku është vendi juaj", tha ministri slloven.
Poklukar theksoi se Sllovenia e mbështet plotësisht Maqedoninë e Veriut në rrugën e saj të integrimit drejt në Bashkimin Evropian (BE) dhe shprehu gatishmërinë e tij për të ndihmuar në rrugën evropiane.