Ministri Hoxha: Shqipëria solidarizohet plotësisht me Kuvajtin kundër çdo veprimi destabilizues
"Shqipëria dënon ashpër goditjet e Iranit kundër Kuvajtit, të cilat përbëjnë një shkelje të qartë të ligjit ndërkombëtar dhe një shkelje të sovranitetit të Kuvajtit", tha ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha
Tiranë
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka deklaruar se Shqipëria dënon ashpër sulmet e Iranit kundër Kuvajtit, të cilat sipas tij përbëjnë një shkelje të qartë të ligjit ndërkombëtar, transmeton Anadolu.
Në një reagim në rrjetet sociale, Hoxha ka konfirmuar se ka zhvilluar një bisedë telefonike me ministrin e Jashtëm të Kuvajtit, Sheikh Jarrah Jaber Al-Ahmad Al-Sabah.
"Shqipëria dënon ashpër goditjet e Iranit kundër Kuvajtit, të cilat përbëjnë një shkelje të qartë të ligjit ndërkombëtar, një shkelje të sovranitetit të Kuvajtit dhe përbëjnë kërcënime serioze për sigurinë e popullit të tij, ekonominë e vendit dhe paqen rajonale dhe globale. Shqipëria solidarizohet plotësisht me Kuvajtin kundër çdo veprimi destabilizues", është shprehur ai.
Ministri Hoxha ka theksuar se ka riafirmuar mbështetjen e palëkundur për sovranitetin dhe integritetin territorial të Kuvajtit, "një parim thelbësor i politikës së jashtme të Shqipërisë".
"Konfirmova gjithashtu se Shqipëria do të bashkësponsorizojë projektrezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së të qarkulluar nga shtetet anëtare të GCC-së (Këshilli i Bashkëpunimit të Gjirit) që dënon sulmet e Iranit kundër Bahreinit, Kuvajtit, Omanit, Katarit, Arabisë Saudite, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Jordanisë, dhe duke bërë thirrje për ndërprerjen e tyre të menjëhershme", tha Hoxha.
Kryediplomati i Shqipërisë ka theksuar se ka shprehur mirënjohjen ndaj autoriteteve kuvajtiane për "kujdesin dhe mbështetjen e jashtëzakonshme të shtrirë ndaj qytetarëve shqiptarë në Kuvajt në këto kohë të vështira dhe sfiduese".
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
