BALLKANI

Ministri Hoxha: Shqipëria mbetet një partnere e fortë dhe e besueshme e BE-së

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, po zhvillon një vizitë zyrtare në Bruksel, ndërkohë është takuar me Përfaqësuesen e Lartë e BE për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas

Fatjon Cuka  | 10.03.2026 - Përdıtësım : 10.03.2026
Ministri Hoxha: Shqipëria mbetet një partnere e fortë dhe e besueshme e BE-së Burimi: MEPJ e Shqipërisë

Tiranë

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka deklaruar se Shqipëria mbetet një partnere e fortë dhe e besueshme e Bashkimit Evropian (BE), transmeton Anadolu.

Ministri Hoxha po zhvillon një vizitë zyrtare në Bruksel, ndërkohë është takuar me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas.

Në një reagim në rrjetet sociale në lidhje me takimin, Hoxha ka shkruar se ka rikonfirmuar linjëzimin e plotë të Shqipërisë me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian, duke reflektuar sipas tij "angazhimin palëkundur ndaj parimeve dhe përgjegjësive që ndajmë me partnerët tanë evropianë".

"Shqipëria mbetet një partnere e fortë dhe e besueshme e Bashkimit Evropian, duke mbështetur me vendosmëri vlerat që mbështesin projektin tonë të përbashkët evropian, duke kontribuar në mënyrë aktive në stabilitetin rajonal dhe në sigurinë më të gjerë të kontinentit evropian. Në një kohë kur lufta, konflikti dhe kërcënimet hibride sfidojnë gjithnjë e më shumë sigurinë evropiane dhe globale, është thelbësore që të ruajmë një angazhim të fortë në mbështetje të paqes, demokracisë dhe rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla", ka theksuar ministri Hoxha.

Ai ka theksuar se në këtë fazë të rëndësishme të rrugës së pranimit të Shqipërisë në BE, forcimi i partneritetit të sigurisë dhe mbrojtjes me Bashkimin Evropian, "demonstron vendosmërinë tonë të përbashkët jo vetëm për të thelluar dialogun", por sipas tij edhe për të rritur bashkëpunimin dhe koordinimin praktik në mbështetje të qëndrueshmërisë strategjike dhe aftësive mbrojtëse të Evropës.

"Si një anëtare e përkushtuar e NATO-s dhe një vend kandidat i përkushtuar për në BE, Shqipëria është e gatshme të kontribuojë më tej në sigurinë tonë kolektive duke forcuar aftësitë dhe gatishmërinë e saj, duke mbështetur përpjekjet për menaxhimin e krizave dhe duke përforcuar rezistencën tonë të përbashkët, ndërkohë që avancon rolin dhe pozicionin e Bashkimit në skenën globale", ka shtuar Hoxha.

Sipas një njoftimi nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, Kallas gjatë takimit vlerësoi Shqipërinë për linjëzimin e plotë me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian, "që e bën ndër të tjera Shqipërinë, një aleat serioz për vetë Unionin".

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın