BALLKANI

Ministri Hoxha për situatën në Lindjen e Mesme: Shqipëria nuk ka mbyllur asnjë përfaqësi diplomatike në rajon

Gjatë një seance të Komisionit për Evropën dhe Punët e Jashtme të Kuvendit të Shqipërisë, ministri Ferit Hoxha, ka folur mbi masat e marra nga autoritetet shqiptare për asistencën ndaj shtetasve shqiptarë që ndodhen në Lindjes së Mesme

Fatjon Cuka  | 13.03.2026 - Përdıtësım : 13.03.2026
Ministri Hoxha për situatën në Lindjen e Mesme: Shqipëria nuk ka mbyllur asnjë përfaqësi diplomatike në rajon Foto: MEPJ e Shqipërisë

Tiranë

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, duke iu referuar situatës në Lindjen e Mesme ka deklaruar se Shqipëria nuk ka mbyllur asnjë përfaqësi diplomatike në rajon dhe sipas tij ambasadat janë në kontakt me qytetarët shqiptarë, transmeton Anadolu.

Gjatë një seance të Komisionit për Evropën dhe Punët e Jashtme të Kuvendit të Shqipërisë, sipas njoftimit të ministrisë, Hoxha ka folur mbi masat e marra nga autoritetet shqiptare për mbrojtjen dhe asistencën ndaj shtetasve shqiptarë që ndodhen në rajonin e Lindjes së Mesme.

"Si shume vende të tjera, në Evropë e përtej, Shqipëria është e prekur në aspektin politik e humanitar nga zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme dhe nga përshkallëzimi i situatës së sigurisë në rajon. Kjo edhe për faktin se në vendet e prekura nga kriza jetojnë e punojnë qytetarë shqiptarë, siguria e të cilëve mbetet prioritet madhor i Qeverisë Shqiptare dhe shërbimit të jashtëm në veçanti", është shprehur ministri Hoxha.

Sipas tij, që me fillimin e krizës, në ministri është ngritur dhe ka funksionuar një shtab i posaçëm, "duke qenë në kontakt të drejtpërdrejtë me qytetarët".

"Pavarësisht nga përshkallëzimi i situatës, pavarësisht përkeqësimit të situatës së sigurisë, ndryshe nga shumë vende të tjera, Shqipëria nuk ka mbyllur asnjë prej përfaqësive diplomatike, duke vënë në plan të parë nevojën për të ndjekur zhvillimet dhe për të asistuar shtetasit tanë atje. Jo se nuk ka patur respekt për stafet diplomatike, por sepse ka qenë e domosdoshme të kemi njerëzit tanë atje në terren, për të komunikuar e asistuar qytetarët tanë atje", është shprehur Hoxha.

Sipas njoftimit, kryediplomati Hoxha ka shtuar se kryeministri Edi Rama dhe vetë ai janë në kontakt të vazhdueshëm me ambasadorët shqiptarë në Lindjen e Mesme.

"Përfaqësitë tona kanë kontaktuar në mënyrë aktive qytetarët shqiptarë të regjistruar në zonat e prekura, kanë organizuar procesin e regjistrimit vullnetar, kanë ofruar në mënyrë të vazhduar udhëzime për largimin nga zonat e rrezikut dhe duke koordinuar me autoritetet vendase dhe partnerët ndërkombëtarë për mundësi evakuimi. Përmes këtij koordinimi janë asistuar dhe udhëzuar qindra shtetas shqiptarë për t'u larguar nga zona e konfliktit ndërsa një pjesë e tyre janë larguar individualisht ose përmes kanaleve të sigurta të transportit", ka shtuar ndër të tjera ministri Hoxha.

Gjithashtu thuhet se Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe përfaqësitë diplomatike kanë bashkëpunuar me vendet partnere dhe shtetet fqinje për të mundësuar përfshirjen e shtetasve shqiptarë në operacionet e evakuimit të organizuara nga këto vende.

Sipas ministrisë, në fillim të konfliktit në Lindjen e Mesme ishin rezidentë 2.962 shtetas shqiptarë në rajon, ku sipas autoriteteve të kontaktuar nga ambasadat individualisht janë 2.511 shtetas.

"Të interesuar për t'u larguar nga zona e konfliktit janë 138 shtetas. Të asistuar/udhëzuar për t'u larguar në forma të ndryshme 703 shtetas, të larguar individualisht 24 shtetas. Të planifikuar për t'u larguar individualisht sipas kanaleve/mënyrave të sigurta të transportit 45 shtetas. Qytetarët që janë evakuuar me asistencën e shteteve të treta janë 17", thekson njoftimi.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın