BALLKANI

Ministri Hoxha: Mirëpresim vendimin për heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës

Kryediplomati i Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka theksuar se ky hap, edhe pse sipas tij i vonuar, rikonfirmon qartë përkushtimin e Kosovës ndaj vlerave evropiane, shtetit të së drejtës dhe bashkëpunimit konstruktiv rajonal

Fatjon Cuka  | 18.03.2026 - Përdıtësım : 18.03.2026
Ministri Hoxha: Mirëpresim vendimin për heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës

Tiranë

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka deklaruar se mirëpresin vendimin për heqjen e të gjitha masave të Bashkimit Evropian (BE) ndaj Kosovës, transmeton Anadolu.

Në një reagim në rrjetet sociale, Hoxha ka theksuar se ky hap, edhe pse sipas tij i vonuar, rikonfirmon qartë përkushtimin e Kosovës ndaj vlerave evropiane, shtetit të së drejtës dhe bashkëpunimit konstruktiv rajonal.

"Mirëpresim vendimin për heqjen përfundimtare të të gjitha masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës. Vendimi i sotëm hap një kapitull të ri, duke mundësuar qasje të plotë dhe pa pengesa në fondet e BE-së, asistencën dhe bashkëpunimin e gjithanshëm. Ai kontribuon në rindërtimin e besimit dhe forcon më tej besueshmërinë e procesit të integrimit evropian", ka shkruar Hoxha.

Sipas ministrit Hoxha avancimi drejt rrugës evropiane të Kosovës, përfshirë shqyrtimin pa vonesë të aplikimit për statusin e vendit kandidat, do të kontribuojë drejtpërdrejt për një rajon më të qëndrueshëm dhe më të sigurt, "duke rikonfirmuar njëkohësisht perspektivën evropiane të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor".

BE-ja vendosi masa sanksionuese ndaj Kosovës në vitin 2023 për shkak të vendimit të qeverisë kosovare për t'i dërguar kryetarët shqiptarë të komunave me shumicë serbe në objektet komunale, gjë që përshkallëzoi situatën për disa javë.

Sipas autoriteteve të Kosovës, të gjitha masat e vendosura nga Komisioni Evropian ndaj Kosovës janë hequr dhe se është zhbllokuar e gjithë ndihma financiare e pezulluar më parë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın