Ministri Hoxha bisedë me homologun kroat: Rikonfirmuam partneritetin e fortë strategjik Shqipëri-Kroaci
Hoxha ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun e tij kroat, Gordan Grliq-Radman, ndërkohë ka theksuar se "rikonfirmuam marrëdhëniet e shkëlqyera dhe partneritetin e fortë strategjik ndërmjet Shqipërisë dhe Kroacisë"
Tiranë
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka deklaruar se në një bisedë me homologun e tij kroat kanë rikonfirmuar "partneritetin e fortë strategjik" Shqipëri-Kroaci, transmeton Anadolu.
Hoxha ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun e tij kroat, Gordan Grliq-Radman, ndërkohë ka theksuar se "rikonfirmuam marrëdhëniet e shkëlqyera dhe partneritetin e fortë strategjik ndërmjet Shqipërisë dhe Kroacisë".
Në një reagim në rrjetet sociale, Hoxha ka shkruar se theksuan rëndësinë e thellimit të mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh në sektorë kyç, përfshirë ekonominë, energjinë, mbrojtjen dhe turizmin.
"Vëmendje e veçantë iu kushtua forcimit të ndërlidhjes dhe sigurisë energjetike përmes projekteve madhore rajonale, si Korridori Adriatiko-Jonian, Gazsjellësi Trans Adriatik dhe zgjerimi i tij me Gazsjellësin Joniano-Adriatik si dhe mbi Iniciativën e Tre Deteve, shtylla të rëndësishme për rritjen dhe qëndrueshmërinë në Evropën Juglindore", ka theksuar Hoxha.
Kryediplomati i Shqipërisë ka shtuar se shkëmbyen gjithashtu pikëpamje mbi sigurinë dhe bashkëpunimin rajonal, "duke nënvizuar përgjegjësinë e përbashkët si aleatë në NATO, për të kontribuar në paqe, stabilitet dhe mbrojtje kolektive".
"Si partnerë të afërt, mbetemi të përkushtuar fort për avancimin e sigurisë, stabilitetit dhe një të ardhmeje të përbashkët evropiane për rajonin. Shpreha mirënjohjen tonë për mbështetjen e vazhdueshme të Kroacisë për pranimin e Shqipërisë në BE dhe e ftova (ministrin Gordan Grliq-Radman) të vizitojë së shpejti Shqipërinë", ka shtuar Hoxha.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
