BALLKANI

Ministri Balla: Gjatë vitit 2023 janë finalizuar 1.195 operacione policore

Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Taulant Balla, në një konferencë për mediat foli për disa çështje, si operacionet policore, sigurinë publike, investimet në infrastrukturën rrugore dhe luftën kundër kultivimit të lëndëve narkotike

Fatjon Cuka  | 04.01.2024 - Përdıtësım : 05.01.2024
Ministri Balla: Gjatë vitit 2023 janë finalizuar 1.195 operacione policore Foto: Olsi Shehu/AA

Tiranë

Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Taulant Balla, në një konferencë për mediat mbi analizën vjetore për vitin 2023 të Ministrisë së Brendshme dhe prioritetet e institucionit që ai drejton për vitin 2024, tha se gjatë vitit 2023 janë finalizuar 1.195 operacione policore, raporton Anadolu.

Ministri Balla foli për disa çështje, si operacionet policore, sigurinë publike, investimet në infrastrukturën rrugore dhe luftën kundër kultivimit të lëndëve narkotike.

Balla tha se siguria publike gjatë vitit 2023, ishte një test i rëndësishëm që ka certifikuar vendin si një destinacion i sigurt turistik.

"10.155.640 shtetas të huaj vizituan Shqipërinë gjatë vitit të kaluar, duke e certifikuar Shqipërinë jo vetëm si një destinacion i bukur turistik dhe mikpritjes së pakonkurueshme, por edhe sa i përket sigurisë", u shpreh Balla.

Ai tha se investimet në infrastrukturën rrugore dhe përdorimi i teknologjisë në kontrollet e policisë rrugore kanë sjellë një përmirësim tepër të madh të indikatorëve të sigurisë rrugore në rrugët e Shqipërisë.

"Kemi 1.228 aksidente rrugore me pasoja të rënda, ku kemi 191 jetë të humbura. Sa u përket masave parandaluese dhe ndërgjegjësuese, të marra nga policia e shtetit e vërteta është që viti 2023 ka dhe nivelin më të lartë prej 898.164 masa administrative ndaj shkelësve të rregullave të qarkullimit rrugor", tha Balla.

Balla tha se gjatë vitit 2023 janë finalizuar 1.195 operacione policore, 62 prej të cilave në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë dhe shtoi se janë ndaluar nga policia 7.845 shtetas, autorë krimeve të ndryshme.

"Lufta kundër krimit të organizuar dhe përmirësimi i sigurisë publike mbeten për ne prioritet kyç dhe goditjet kundër grupeve kriminale do të vazhdojnë të intensifikohen çdo ditë. Po çmontojnë grupe të ndryshme kriminale të përfshira në ngjarje të rënda, si vrasje, trafiqe e pastrime parash, organizim lojërash të paligjshme dhe veprimtari të tjera kriminale", u shpreh ndër të tjera Balla.

Sa i përket kultivimit të lëndëve narkotike, Balla tha se gjatë vitit 2023 u goditën 28 grupe kriminale me aktivitet në fushën e kultivimit të lëndëve narkotikëve dhe janë asgjësuar 293. 047 bimë narkotike kanabis sativa, sekuestruar 4 tonë kanabis sativa, 62 kilogramë heroinë, 23 kilogramë kokainë dhe 11.300 tableta ekstazi.

Ai tha se lufta kundër fenomenit shqetësues të përdorimit të lëndëve narkotike po garanton çdo ditë shkolla dhe komunitete më të sigurta.

Duke folur për objektivat e vitit 2024, Balla tha se po përgatisim ndryshime rrënjësore në ligjin për Policinë e Shtetit, sipas tij, për ta dinamizuar trupën drejtuese të policisë dhe përmirësuar karrierën.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın