Milanoviq për bashkëpunimin e mundshëm Kroaci-Izrael: "Ju betohem, kjo nuk do të ndodhë"
Presidenti kroat Milanoviq e quajti Serbinë fqinje një problem sigurie, duke kujtuar blerjet e sistemeve ushtarake nga Beogradi nga Izraeli dhe Kina
Zagreb/Sarajevë
"Ju betohem, kjo nuk do të ndodhë", deklaroi presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, për një bashkëpunim të mundshëm të Ushtrisë Kroate me Izraelin, raporton Anadolu.
Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, ndodhet për një vizitë zyrtare në Zagreb, ndërsa pas takimit është mbajtur konferencë e përbashkët për media.
Në konferencën për media, Milanoviq komentoi raportimet mbi negociatat e ministrit të Mbrojtjes, Ivan Anushiq, me Izraelin për blerjen e të ashtuquajturit "Llastiqet e Davidit" (David's Sling), një sistem i avancuar mbrojtës raketor i Izraelit.
"Blerja e çdo sistemi mbrojtës pa Ushtrinë Kroate, kjo është çmenduri. Nëse ai apo dikush tjetër dëshiron të hyjë në këto marrëveshje, nevojitet bashkëpunimi i Ushtrisë Kroate me ushtrinë izraelite. Ju betohem, kjo nuk do të ndodhë", tha Milanoviq.
Ai shtoi se sistemi "Llastiqet e Davidit", edhe sikur të ishte i fundit në botë, është i zëvendësueshëm. "Ne blejmë tanke dhe 'Llastiqet e Davidit' ndërsa Izraeli armatos fqinjin tonë kryesor, po flas për Serbinë", potencoi Milanoviq.
Me këtë, ai dërgoi mesazhin e qartë se çdo blerje mbrojtëse ku merr pjesë një palë e huaj duhet të koordinohet me Ushtrinë Kroate, duke theksuar rolin strategjik të Ushtrisë Kroate në sigurinë kombëtare.
Presidenti kroat e quajti Serbinë fqinje një problem sigurie, duke rikujtuar blerjet e saj të sistemeve ushtarake nga Izraeli dhe Kina.
