Mijëra në protestë në Sarajevë, dënojnë gjenocidin ndaj palestinez dhe kërkojnë ndërprerjen e lidhjeve me Izraelin
Në një apel publik drejtuar institucioneve, ata theksuan detyrimin moral, historik dhe ligjor të vendit për të marrë një qëndrim të qartë ndaj agresionit, pushtimit, gjenocidit dhe krimeve të tjera të kryera nga Izraeli kundër popullit palestinez

Sarajevë
Disa mijëra qytetarë janë mbledhur në një protestë pro-palestineze në Sarajevë, duke u bërë thirrje institucioneve të Bosnjë e Hercegovinës të dënojnë gjenocidin dhe krimet kundër popullit palestinez dhe të miratojnë masa konkrete të izolimit politik, ekonomik dhe diplomatik të Izraelit, raporton Anadolu.
Marshi protestues me sloganin “Bosnjë e Hercegovina për një Palestinë të lirë” filloi në monumentin e ‘Fëmijëve të vrarë të Sarajevës së rrethuar 1992-1995’, kaloi pranë ndërtesave të institucioneve të vendit dhe përfundoi në parkun midis Muzeut Historik dhe Kombëtar të Bosnjë e Hercegovinës.
Të mbledhurit mbanin flamuj dhe banderola palestineze në mbështetje të Palestinës, të cilët në një apel publik drejtuar institucioneve theksuan detyrimin moral, historik dhe ligjor të Bosnjë e Hercegovinës për të marrë një qëndrim të qartë ndaj agresionit, pushtimit, gjenocidit dhe krimeve të tjera të kryera nga Izraeli kundër popullit palestinez.
"Vendi ynë, i cili i ka mbijetuar rrethimit, krimeve të luftës, krimeve kundër njerëzimit dhe gjenocidit, ka një përgjegjësi të veçantë për të zbatuar vazhdimisht të drejtën ndërkombëtare dhe për të mbrojtur vlerat universale të të drejtave të njeriut", thuhet në kërkesat e grupit joformal të qytetarëve, i cili është organizatori i protestës në mbështetje të lirisë së popullit palestinez.
Qytetarët e Sarajevës kërkojnë nga të gjitha institucionet dhe autoritetet e vendit të dënojnë gjenocidin, krimet kundër njerëzimit, krimet e luftës, aparteidin dhe shkeljet e tjera të rënda të të drejtave të njeriut të kryera nga Izraeli kundër popullit palestinez, si dhe të miratojnë masa konkrete në mbështetje të Palestinës.
Protestuesit po ashtu kërkuan respektimin e të drejtës ndërkombëtare, bashkimin me padinë e Afrikës së Jugut kundër Izraelit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (ICJ) dhe një detyrim për të zbatuar vendimet e Gjykatës Ndërkombëtare Penale, përfshirë arrestimin e zyrtarëve izraelitë që janë akuzuar ose do të akuzohen për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte nëse gjenden në territorin e Bosnjë e Hercegovinës.
Ata, ndër të tjera, kërkuan ndërprerjen e të gjitha llojeve diplomatike, politike, kulturore, sportive, akademike dhe ekonomike me Izraelin, duke përfshirë një embargo të plotë për eksportin në Izrael të armëve, municioneve dhe çdo mjeti apo pajisjeje që përdoret ose mund të përdoret për qëllime ushtarake.
Ata gjithashtu kërkojnë bllokimin e investimeve të huaja dhe marrëveshjeve të biznesit me kompanitë që, në raportet e raportueses së posaçme të OKB-së, Francesca Albanese, Zyrës së Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut dhe organeve të tjera ndërkombëtare, janë identifikuar si ato që marrin pjesë drejtpërdrejtë ose tërthorazi në pushtimin, gjenocidin dhe krimet e tjera kundër popullit palestinez.
Ata që u mblodhën në protestat në Sarajevë gjithashtu kërkuan që organizatat ndërkombëtare sportive dhe kulturore të pezullojnë ose përjashtojnë Izraelin nga pjesëmarrja, në përputhje me praktikën e komunitetit ndërkombëtar ndaj vendeve që shkelin të drejtën ndërkombëtare dhe që kryejnë krime kundër njerëzimit.
“Bosnjë e Hercegovina nuk mund të heshtë përballë gjenocidit që Izraeli po kryen kundër popullit palestinez dhe shkeljes sistematike të së drejtës ndërkombëtare”, thanë ata.
Që nga tetori i vitit 2023, të paktën 67.600 palestinezë janë vrarë në sulmet izraelite ndaj Gazës, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.
Të mërkurën, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi se Izraeli dhe Hamasi kishin rënë dakord për fazën e parë të një plani prej 20 pikash për të vendosur një armëpushim në Gaza, për të liruar të gjitha pengjet izraelite në këmbim të rreth 2 mijë të burgosurve palestinezë dhe për të tërhequr gradualisht forcat izraelite nga e gjithë enklava.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.