Mickoski: Së bashku mund të ndërtojmë një rajon evropian të begatë, gjithëpërfshirës dhe krenar
"Ne të gjithë kemi një të ardhme të përbashkët dhe për të siguruar unitetin dhe stabilitetin duhet të punojmë së bashku si fqinjë, si partnerë, si rajon", tha kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Mickoski

Shkup
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski në fjalën hapëse të Samitit të Liderëve të Bashkimit Evropian-Ballkani Perëndimor tha se së bashku mund të ndërtojnë një rajon evropian të begatë, gjithëpërfshirës dhe krenar, raporton Anadolu.
Ai tha se forca e tyre qëndron në unitetin dhe stabilitetin nëpërmjet forcimit të marrëdhënieve me fqinjët e tyre dhe me Bashkimin Evropian (BE), duke hapur tregje të reja, vende të reja pune, miqësi të reja, duke hequr barrierat tregtare, duke përmirësuar infrastrukturën dhe duke rritur investimet.
Mickoski tha se Maqedonia e Veriut është vendi i parë në Ballkanin Perëndimor që përfundon një marrëveshje paraprake financimi në kuadër të Planit të Rritjes. Ai theksoi se kjo është një pasqyrim i angazhimit, përkushtimit, besimit të vendit në sundimin e ligjit dhe modernizimin ekonomik.
"Ne të gjithë kemi një të ardhme të përbashkët dhe për të siguruar unitetin dhe stabilitetin duhet të punojmë së bashku si fqinjë, si partnerë, si rajon. Së bashku mund të ndërtojmë një rajon të fortë dhe të lidhur që është i begatë, gjithëpërfshirës dhe evropian", tha Mickoski.
Në takimin, që po zhvillohet në Shkup, marrin pjesë Komisionerja e BE-së për Zgjerim, Marta Kos, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, zëvendëskryeministri i Malit të Zi për Çështjet e Jashtme dhe Evropiane, Filip Ivanoviq, kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës Borjana Krishto dhe ministri për Integrimin Evropian i Serbisë, Nemanja Staroviq.
Pas panelit të parë në kuadër të samitit liderët do të marrin pjesë në fotografinë familjare. Më pas Mickoski dhe Kos do të mbajnë konferencë të përbashkët për media.
Samiti do të vazhdojë me panelin e dytë kushtuar mekanizmave specifikë dhe mbështetjes për zbatimin e Planit të Rritjes.