Mickoski në Samitin Digjital: Vizioni ynë është një shtet plotësisht digjital, transparent dhe efikas
"Qëllimi ynë është i qartë, të bëhemi një qendër e inovacionit digjital në rajon, një vend që do të tërheqë investitorë dhe do të mbajë talentët", tha kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski

Shkup
Samiti Digjital i Ballkanit Perëndimor (WBDS) 2025 po mbahet sot në Muzeun e Artit Bashkëkohor në Shkup, ku marrin pjesë më shumë se 800 pjesëmarrës, përfshirë kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, i cili mbajti një fjalim, raporton Anadolu.
Përveç kryeministrit, fjalime mbajtën edhe ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski dhe sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), Amer Kapetanoviq.
Samiti përqendrohet në tre tema kryesore për të ardhmen digjitale të rajonit, përkatësisht portofoli digjital, ndërveprimi dhe siguria kibernetike.
Kryeministri Mickoski tha se digjitalizimi është çelësi për zhvillimin ekonomik dhe konkurrueshmërinë e vendit.
"Qëllimi ynë është i qartë, të bëhemi një qendër e inovacionit digjital në rajon, një vend që do të tërheqë investitorë dhe do të mbajë talentët", tha ai.
Sipas tij, qeveria do të punojë për digjitalizimin e plotë të institucioneve dhe shërbimeve të arritshme për të gjithë qytetarët.
"Vizioni ynë është një shtet që do të jetë plotësisht digjital, transparent dhe efikas. Deri në fund të mandatit, të gjitha shërbimet publike do të jenë të disponueshme në internet, çdo qytetar do të ketë identitetin e vet digjital dhe qasje në institucione nëpërmjet telefonit celular. Do të ndërtojmë një sistem sigurie kibernetike që do të garantojë besimin në shoqërinë digjitale", tha Mickoski.
Në samit foli edhe ministri Andonovski, i cili tha se samiti është një mundësi për të promovuar bashkëpunimin rajonal drejt shërbimeve më të mira digjitale për qytetarët.
"Shpresoj që ky aktivitet të jetë një platformë për lidhjen e të gjitha vendeve dhe se do të kemi sukses në zbatimin e iniciativës 'roaming si në shtëpi' me Bashkimin Evropian, gjë që do të ulë ndjeshëm kostot për qytetarët tanë", tha Andonovski.
Kapetanoviq, nga ana e tij, tha se rezultatet e arritura deri më tani janë vetëm fillimi i një integrimi më të madh.
"Ne kemi krijuar një zonë të lirë 'roaming' në Ballkanin Perëndimor dhe kështu kemi krijuar përfitime për qytetarët tanë, kemi ulur çmimet e roamingut midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor", tha Kapetanoviq, duke shtuar se qëllimi i radhës është vendosja e një tarife zero dhe lidhjeje të përbashkët përmes një portofoli digjital brenda Bashkimit Evropian.
Samiti Digjital është një ngjarje rajonale që bashkon bartësit e transformimit digjital nga Ballkani Perëndimor, Bashkimi Evropian dhe më gjerë. Samiti organizohet nga Ministria e Transformimit Digjital dhe Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC).
Në këtë aktivitet marrin pjesë mbi 800 pjesëmarrës, përfshirë zyrtarë të lartë qeveritarë, ekspertë, kompani, institucione akademike dhe partnerë ndërkombëtarë. WBDS 2025 do të jetë platformë për iniciativa të reja, përfshirë diskutime mbi uljen e kostove të roamingut me BE-në, drejt krijimit të një modeli "roaming si në shtëpi" midis rajonit dhe Unionit.