BALLKANI

Mickoski: Garancitë që kërkojmë nga BE-ja kanë për qëllim shmangien e çdo kushtëzimi të ri nga Bullgaria

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut paralajmëroi se pa këto garanci, mund të ketë sërish rrezik që edhe nëse bëhen ndryshime kushtetuese, të dalin pengesa të reja në procesin e negociatave

Shpetim Hiseni  | 19.11.2025 - Përdıtësım : 19.11.2025
Mickoski: Garancitë që kërkojmë nga BE-ja kanë për qëllim shmangien e çdo kushtëzimi të ri nga Bullgaria

Shkup

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, e përsëriti kërkesën që vendi i tij të marrë garanci të qarta në procesin e anëtarësimit në BE, me qëllim të shmangies së çdo kushtëzimi të ri nga Bullgaria, transmeton Anadolu.

Duke folur në një program televiziv, Mickoski tha se situata aktuale është trashëguar nga qeveria e kaluar dhe se politikat e gabuara nuk mund të përmirësohen “brenda natës”.

Mickoski theksoi se kërkesa për garanci nga Këshilli Evropian – se nuk do të ketë veto të re për çështje bilaterale dhe se identiteti dhe gjuha maqedonase nuk do të vihen në pikëpyetje – është “vlerë themelore”.

“Ne nuk kërkojmë diç më shumë e as më pak se kjo”, tha Mickoski.

Ai paralajmëroi se pa këto garanci, mund të ketë sërish rrezik që edhe nëse bëhen ndryshime kushtetuese, të dalin pengesa të reja në procesin e negociatave.

“Prandaj, le t’i vendosim gjërat kështu, që brenda kornizës së kësaj situate që kemi trashëguar nga qeveria e mëparshme pas kapitullimit të plotë, mendojmë se kjo është diçka që përfaqëson një vlerë themelore që e meritojmë si popull pas të gjithave që kemi bërë për integrimet evropiane”, tha Mickoski.

Kryeministri shtoi se qeveria nuk premton zgjidhje të menjëhershme, por synon të ndjekë “politikë të vështirë, por jo të turpshme”, duke theksuar nevojën për strategji që do t’i hapë rrugën vendit drejt BE-së.

Ndryshe, procesi i anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut ka ngecur për shkak të vetos së Bullgarisë, e cila ka parashtruar disa kërkesa ndaj vendit, përfshirë njohjen e pakicës bullgare me Kushtetutë.

Sofja po ashtu ka kontestuar gjuhën, duke theksuar se maqedonishtja nuk është e ndarë nga bullgarishtja dhe duke kërkuar që kjo të reflektohet edhe në institucionet evropiane.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın