Meloni për qendrat e emigrantëve në Shqipëri: Do të funksionojnë 1,5 vjet me vonesë për shkak të gjyqtarëve
Më 6 nëntor të vitit 2023, mes Shqipërisë dhe Italisë u nënshkrua protokolli i bashkëpunimit për fuqizimin e bashkëpunimit për çështjen e emigracionit, ndërsa marrëveshja shkaktoi reagime në Shqipëri dhe Itali
Romë
Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni tha se dy qendra për emigrantët që ata ngritën në Shqipëri nuk mund të fillonin të funksionojnë për shkak të vendimeve të gjykatës, por se do të bëhen funksionale pas një vonese prej 1,5 vitesh, transmeton Anadolu.
Meloni mbajti një fjalim mbi zhvillimet e politikës së brendshme dhe të jashtme në mbyllje të festivalit tradicional politik "Atreju" të organizuar nga partia e saj, Vëllezërit e Italisë (FdI) në Romë.
Kryeministrja Meloni tregoi se dy qendrat e emigrantëve që ata ngritën në Shqipëri në kuadër të protokollit që nënshkruan me vendin në nëntor 2023, por të cilat nuk mundën të viheshin në funksion për shkak të disa vendimeve të gjykatave administrative, së shpejti do të bëheshin përsëri funksionale.
"Bashkimi Evropian (BE) po punon për një rregullore në lidhje me vendet e sigurta për të mbrojtur vendimet tona nga vendimet gjyqësore të politizuara. Më argëton të imagjinoj se çfarë do të thonë gjyqtarët që, me vendimet e tyre ideologjike, kanë ndaluar dërgimin e emigrantëve (në këto qendra) pas miratimit nga BE të një liste që rendit vendet nga vijnë emigrantët. Qendrat në Shqipëri do të bëhen funksionale 1,5 vjet me vonesë për shkak të këtyre gjyqtarëve", tha ajo.
Meloni gjithashtu kundërshtoi ata që pohuan se krijimi i një qendre italiane në Shqipëri ka dëmtuar interesin publik. "Sa i përket atyre që thonë se ka pasur një humbje publike, kjo çështje ekziston, por nuk mund t'i atribuohet qeverisë. Siç ndodhi dje, askush nuk do të jetë në gjendje të na ndalojë të bëjmë atë që na kërkuan italianët, cilado qoftë kostoja", u shpreh Meloni.
Duke folur edhe për luftën Rusi-Ukrainë, kryeministrja italiane përsëriti mbështetjen tyre për Kievin.
Nga ana tjetër, Meloni kujtoi se partia e saj kishte paraqitur një projektligj për të ndaluar mbulesat dhe burkat në hapësirat publike në vend, dhe tha se kushdo që pranon të jetojë në një vend tjetër duhet të respektojë ligjet, traditat dhe zakonet e atij vendi.
- Protokolli Shqipëri-Itali për çështjen e emigracionit
Më 6 nëntor të vitit 2023, mes Shqipërisë dhe Italisë u nënshkrua protokolli i bashkëpunimit për fuqizimin e bashkëpunimit për çështjen e emigracionit, ndërsa marrëveshja shkaktoi reagime në Shqipëri dhe Itali.
Protokolli, në bazë të të cilit u ngritën në Shqipëri qendrat e pritjes së emigrantëve të paligjshëm, u nënshkrua nga kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni dhe u ratifikua nga Kuvendi i Shqipërisë më 22 shkurt të vitit 2024.
Sipas Qeverisë së Shqipërisë, ky protokoll ka për qëllim forcimin e bashkëpunimit dypalësh ndërmjet palëve për menaxhimin e flukseve migratore nga vendet e treta, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe atë evropiane.
Ndërkohë, sipas protokollit, autoritetet kompetente shqiptare lejojnë hyrjen dhe qëndrimin në territorin shqiptar të emigrantëve të strehuar në strukturat që janë ndërtuar, me qëllimin e vetëm të kryerjes së procedurave kufitare apo të riatdhesimit.
Qendrat që janë ngritur në Qarkun e Lezhës menaxhohen nga autoritetet italiane.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
