BALLKANI

Me një manifestim solemn, "Maarif" fillon vitin e ri shkollor

Kara bëri me dije se Fondacioni Maarif funksionon me dy shkolla në Maqedoninë e Veriut, duke përfshirë edhe çerdhen në Shkup dhe shtoi se numri i shkollave do të vazhdojë të rritet në të ardhmen

Abdula Berisha  | 19.09.2019 - Përdıtësım : 20.09.2019
Me një manifestim solemn, "Maarif" fillon vitin e ri shkollor Foto: Seyyid Emin/AA

Tetovë

Me një manifestim solemn, Fondacioni Maarif i Turqisë (TMV) në Maqedoninë e Veriut ka shënuar fillimin e vitit shkollor 2019/2020, raporton Anadolu Agency (AA).

Në manifestimin e mbajtur në shkollën e Fondacionit Maarif në Tetovë, përpos nxënësve, mësuesve dhe udhëheqësve të Fondacionit Maarif, e pranishme ishte edhe ambasadorja e Turqisë në Shkup, Tülin Erkal Kara, ministri për investime të huaja, Elvin Hasan, zv/ministri i punës dhe politikës sociale, Gönül Bayraktar, delegacioni i TMV-së i përbërë nga anëtari i bordit të drejtorëve, Hasan Taşçı, anëtari i këshillit drejtues, Mustafa Çaltılı, koordinatori për Ballkanin, Salih Sağır, dhe drejtori për Maqedoninë e Veriut, Mustafa Dillioğlu, rektori i Universitetit "Necmettin Erbakan", Pr. Cem Zorlu, myftiu i Shkupit, Qenan Ismaili, përfaqësues të institucioneve turke në Maqedoninë e Veriut, diplomatë dhe akademikë.

Në fjalimin e saj përshëndetës, ambasadorja Kara bëri me dije se Fondacioni Maarif funksionon me dy shkolla në Maqedoninë e Veriut, duke përfshirë edhe çerdhen në Shkup dhe shtoi se numri i shkollave do të vazhdojë të rritet në të ardhmen.

Ambasadorja theksoi se ekzistenca e shkollës në Tetovë përbën një urë të fuqishme të bashkëpunimit mes Turqisë dhe komuniteteve mike, duke mos bërë dallim.

"Qofshin shqiptarë, boshnjakë, torbeshë apo çfarëdo përkatësie etnike, ne jami një tërësi, ne jemi një umet", u shpreh ajo.

Ambasadorja gjithashtu falënderoi presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, duke theksuar se ai është kryeiniciatori i procesit të hapjes së shkollave nëpër të gjithë botën.

"Qëllimet e tij u realizuan. Sikur të ishte këtu për të ndarë bashkë me ne këtë pamje shumë të bukur. Edhe pse nuk mund të vijë shpesh, zemra e tij është këtu. Ëndrra dhe dëshira e tij më e madhe është të hapen shkolla në vendet ku gjenden bashkatdhetarë dhe komunitete mike. Fondacioni Maarif është themeluar pikërisht për këtë qëllim. Ta bëjmë praninë tonë të jetë e ndishme, të hapim shkolla në atë masë sa ju jeni të përkushtuar ndaj nxënësve dhe prindërve", tha Kara.

Anëtari i bordit të drejtorëve të TMV-së, Hasan Taşçı, falënderoi kompaninë Turkcell për kontributin e rëndësishëm material që e ka dhënë në inkuadrimin e shkollës në Tetovë në kuadër të shkollave të Fondacionit Maarif.

Taşçı tha se Fondacioni Maarif brenda një periudhe të shkurtër kohore arriti që të jetë prezent në mbi 40 vende në botë me mbi 300 shkolla dhe me mbi 30.000 nxënës, me qëllim që siç u shpreh ai, çdokund në botë të përgatiten gjenerata të virtytshme.

"Unë do të doja të shpreh falënderimet e mia për shtetin e Republikës së Turqisë si dhe për presidentin e nderuar të Republikës së Turqisë që na mundësuan ta rrugëtojmë këtë rrugë, por gjithashtu shprehim falënderime të përzemërta edhe për të gjitha autoritetet shtetërore në vendet ku jemi prezent, e meqë në këtë rast jemi në Republikën e Maqedonisë së Veriut, do të doja ta shfrytëzoj rastin që të falënderoj shtetin e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe përfaqësuesit e nderuar të qeverisë, ministrin e respektuar", tha Taşçı.

Ministri për investime të huaja, Elvin Hasan, në fjalimin e tij theksoi rëndësinë e prezencës së shkollave të TMV-së në Maqedoninë e Veriut, duke shtuar se është e rëndësishme ofrimi i arsimit cilësor dhe modern.

"Gjithashtu këto investime të realizuara nga Republika e Turqisë në vendin tonë në fushën e arsimit kanë një peshë të madhe në drejtim të mbrojtjes dhe kultivimit të gjuhës, kulturës dhe identitetit të komunitetit turk. Këto investime të bëra në fushën e arsimit, çdoherë do t'i mbështesim edhe si qeveri e vendit po edhe unë personalisht si ministër", tha Hasan.

Fjalim rasti kishte edhe kryetari i këshillit drejtues të kompanisë Turkcell, Ahmet Akça, i cili gjithashtu uroi vit të mbarë shkollor.

Pas fjalimeve, programi vijoi me performanca me këngë nga nxënësit e TMV-së. Shkolla e TMV-së në Tetovë, e cila vitin e kaluar filloi funksionimit me 300 nxënës, këtë vit shërben rreth 450 nxënës.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.