BALLKANI

Me mbështetje nga TIKA, në Tetovë u organizua "Trajnim i avancuar mbi transformimin e gjelbër"

I konsideruar si një hap i rëndësishëm në luftën kundër ndryshimeve klimatike, “Moduli i Trajnimit mbi Transformimin e Gjelbër” synon të trajnojë studentët për të marrë rol aktiv në proceset e transformimit të gjelbër

Dzihat Aliju  | 15.04.2025 - Përdıtësım : 16.04.2025
Me mbështetje nga TIKA, në Tetovë u organizua "Trajnim i avancuar mbi transformimin e gjelbër"

Shkup

Me mbështetje nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) dhe në bashkëpunim midis Universitetit “Çanakkale Onsekiz Mart” dhe Universitetit të Tetovës, në qytetin e Tetovës në Maqedoninë e Veriut u organizua “Trajnim i avancuar mbi transformimin e gjelbër”, raporton Anadolu.

Në programin e realizuar me pjesëmarrjen e studentëve të inxhinierisë pranë Universitetit të Tetovës, studentët e suksesshëm në trajnimin bazë të realizuar më parë online, përfunduan trajnimin ballë për ballë të nivelit të avancuar, që është faza e dytë e modulit.

Duke folur në ceremoninë e ndarjes së certifikatave të mbajtur në Universitetin e Tetovës, Koordinatorja e TIKA-s në Shkup, Fevziye Şeyma Babayiğit, tha se me trajnimet e tilla, synojnë ndarjen e përvojave të Türkiyes, por edhe thellimin e bashkëpunimit me vendet ku mbahen ato.

“Ne përpiqemi të realizojmë aktivitete zhvillimore të orientuara nga njerëzit, veçanërisht përmes partneriteteve të forta me institucionet publike, universitetet, komunat, shkollat ​​dhe organizatat joqeveritare”, tha ajo.

Prorektori i Universitetit të Tetovës, Salajdin Salihi, tha se bota ka vlerë të madhe për njerëzimin dhe theksoi se mbrojtja e saj është detyrë njerëzore.

Salihi tha se trajnimet mbi transformimin e gjelbër të organizuara me mbështetjen e TIKA-s dhe në bashkëpunim midis Universitetit “Çanakkale Onsekiz Mart” dhe Universitetit të Tetovës janë shumë të vlefshme në këtë drejtim.

Në kuadër të programit, 11 studentë morën certifikatë pjesëmarrjeje. Si rezultat i vlerësimit të provimit, pesë studentë u shpërblyen me certifikatë suksesi. Studentët e suksesshëm do të kenë mundësinë të bëjnë praktikë në kompani të mëdha në Çanakala si pjesë e trajnimit praktik, që është faza e tretë e programit.

I konsideruar si një hap i rëndësishëm në luftën kundër ndryshimeve klimatike, “Moduli i Trajnimit mbi Transformimin e Gjelbër” synon të trajnojë studentët për të marrë rol aktiv në proceset e transformimit të gjelbër. Në këtë kontekst, synohet të ofrohet mbështetje për procesin e Marrëveshjes së Gjelbër Evropiane në nivel ndërkombëtar dhe hapja e shtigjeve të reja karriere në këtë fushë.

Moduli u realizua njëkohësisht në Maqedoninë e Veriut, si dhe në Kosovë, Azerbajxhan dhe Turkmenistan. Ai mbulon një proces trajnimi me tri faza: bazë, të avancuar dhe praktikë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın